Në përplasjen mes mazhorancës dhe Presidentit Meta për emërimin e anëtarëve të Kushtetueses u përfshi edhe Lulzim Basha.
“Këta nuk duan Gjykatë Kushtetuese. O ta bllokojnë, o ta kapin, kjo është alternativa e Edi Ramës për Gjykatën Kushtetuese. Sepse një Gjykatë Kushtetuese që nuk falet natën në Surrel, një Gjykatë Kushtetuese që nuk bëhet tenderim me përcaktim nga Ardian Dvorani do të vendosë në mënyrë të pavarur, se 30 qershori ishte një proces fals. Do ti japë fund ose do të ndalë përpjekjet për të kapur të gjithë pushtetet”, shprehet Basha.
Betimin para noterit të Arta Vorpsi, demokratët përmes sekretarit te Përgjithshëm e cilësuan si akt partiak, si dhe shkelje te Kushtetutes duke cituar nenin 129 të saj, ku përcaktohet se një anëtar i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit dhe jo para noteres.
“Ne nuk mund ta pranojmë këtë. Kjo që po ndodh me Gjykatën Kushtetuese është një grusht i pastër institucional. Është një grusht kushtetues i cili ka për qëllim që në vend që qytetarët të kenë Gjykatën Kushtetuese për të cilën kemi dy vite, tre vite që të merren hapat për të formuar, të kenë një kukull të regjimit”, ka thënë Basha.
Për kryedemokratin një drejtësi e pavarur nga politika është kërcënim i madh për aferat korruptive, ndaj sipas tij mazhoranca parlamentare synon o ta kapë ose ta ndalë funksionimin e saj.
“Nuk do Gjykatën Kushtetuese të pavarur. Sepse një Gjykatë Kushtetues e pavarur i thotë “Ndal, këtyre veprimeve”. Se një Prokurori e pavarur e merr të pandehur kryeministrin, kabinetin, të gjithë pushtetin në qoftë se shkelin të drejtat themelore të qytetarëve, biznesit”, shprehet kreu i PD-së.
Deklaratat Basha i bëri në takimin me operatorët turistik të Sarandës ku krahas lehtësirave, të cilat ua premtoi kur të vijë në pushtet, paralajmëroi edhe rikthimin e debatit për ndarjen territoriale.
Elda Menga
Top Channel