Kostot e koncesioneve në shëndetësi kanë dalë jashtë kontrollit dhe vazhdojnë të rriten nga viti në vit. Rritja më e fundit është ajo e koncesionit të sterilizimit të pajisjeve që përdoren në ndërhyrjet kirurgjikale të spitaleve publike.
Në buxhetin e vitit 2019, qeveria raportoi se fatura totale e sterilizimit ishte 12.3 miliardë lekë ose 100 milionë euro. Por në tabelat që i janë bashkangjitur buxhetit të vitit të ardhshëm, kostoja e këtij koncesioni është rritur në 16.5 miliardë lekë ose rreth 135 milionë euro. Pra vetëm në harkun kohor të një viti fatura e sterilizimit është rritur me 35 milionë euro ose 34 për qind.
Tenderi për koncesionin e sterilizimit u zhvillua në vitin 2014. Ministria e shëndetësisë shpalli fitues një bashkim të përbërë nga 4 shoqëri, nga të cilat tre italiane nga rajoni i Umbrias dhe një tjetër e panjohur me emrin investital, e cila zotëron 40 për qind të koncesioni. Investital është një kompani pa eksperiencë në fushën e shërbimeve mjekësore dhe zotërohet nga një emigrant shqiptar në Itali me emrin Ilir Rrapaj.
Përfshirja e kësaj kompanie në koncesionin me vlerë qindra milionë euro ngriti jo pak pikëpyetje që në momentin e zhvillimit të tenderit.
Por dyshimet e këtij koncesioni do të forcoheshin edhe më shumë me kalimin e viteve, kur u zbulua se kontrata ishte pa tavan dhe fatura e saj mund të rritej pafundësisht. Një skenar i cili po vërtetohet. Sot pesë vjet pasi koncesioni i sterilizimit ka hyrë në fuqi, fatura e tij është rritur me 35 milionë euro të tjera duke shkuar në 135 milionë euro. E pavarësisht kësaj rritje, Ministria e Shëndetësisë ka urdhëruar spitalet publike të kufizojnë operacionet në shtet deri në 90 ndërhyrje në muaj, sepse koncesionari nuk pranon të sterilizojë pajisjet pa para shtesë.
Klodian Tomorri
Top Channel