“Colours of Albania”/ Brenda aktivitetit ku morën pjesë diplomatë, përfaqësues të shoqërisë civile, artit dhe kulturës

12/11/2019 11:20

U zhvillua, në ambjentet e Pallatit të Brigadave, aktiviteti përmbyllës i edicionit të 5-të të konkursit “Colours of Albania”.

Organizuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, nën kujdesin e veçantë të Ministrit Cakaj, ky konkurs u shndërrua në një brand, me mijëra foto artistike të publikuara për 5 muaj me radhë, i cili evidentoi bukuritë shqiptare nën optikën e publikut të zakonshëm që luajti rolin e “diplomatit dixhital”.
 
Të pranishëm në aktivitetin përmbyllës ishin përfaqësues nga trupi diplomatik i akredituar në Tiranë, diplomatë, përfaqësues të shoqërisë civile, artit, kulturës dhe medias.  
 
“Në fotografitë e këtij edicioni, shfaqet sa stil aq edhe mode, sa trashëgimi kulturore aq edhe arkitekturë urbane, sa jetë e përditshme e njerëzve të zakonshëm, aq edhe thellësi e jashtëzakonshme historike e Shqipërisë.” -u shpreh Cakaj në fjalën e tij përshëndetëse.
 
Aktiviteti u shoqërua nga tingujt harmonikë të grupit të artistëve nga trevat shqiptare, nën drejtimin e mjeshtrit Agron Peni dhe vokalit të artistes nga Kosova, Vesa Smolica, për të vijuar me tingujt e muzikës së Fifit dhe për t’u përmbyllur me një atmosferë festive live nga grupi Offchestra.

Colours of Albania, është kthyer në një ekspozitë gjigande virtuale të natyrës, traditës, historisë dhe shpirtit shqiptar. Ky konkurs i përvitshëm, ka treguar se, Shqipëria nuk është vetëm peisazh dhe natyrë e virgjër, as vetëm trashëgimi kulturore apo monument antikiteti, por edhe një qytet që vibron me ritmin e modernes ku fle edhe e kaluara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA