Menjëherë pasi Top Channel publikoi lajmin e përbërjes së re të Grupit Parlamentar Demokrat, Kuvendi fshiu në mënyrë të beftë nga faqja publikimin e bërë ku reflektoheshin ndryshimet mes opozitarëve të rinj.
Zgjerohet Grupi Demokrat në Parlament, Rudina Hajdari forcon pozitat përballë Korab Litës
Sipas postimit të Kuvendit grupit demokrat parlamentar ishte shtuar me 5 deputet të rinj, Elda Hoti, Ligoraq Karamelo, Krenar Rryçi, Vasil Sterjovski, dhe Majlinda Halilaj deputetja që zuri vendin e Lulzim Bashës, por që e njohur u bë për fjalimin plot gabime për korporatën e investimeve.
Me përbërjen e re, grupi arrinte numrin e 14 deputetëve, ndërsa Rudina Hajdari forconte pozitat pasi të rinjtë janë thirrur prej saj për t’iu bashkuar grupit demokrat.
Para ndryshimeve Korab Lita kishte shumicën, por Kuvendi duket se i vuri “kapak” sherrit mes të rinjve opozitarë duke i dhënë të drejtë kërkesës së Rudina Hajdarit dhe fuqi të plotë në vendimmarrje brenda radhëve të demokratëve parlamentar.
Por, publikimi i Kuvendit, duket se ka acaruar situatën brenda grupit demokrat, pasi menjëherë pas publikimit të lajmit në Top Channel të përbërjes së Grupit te ri Demokrat Parlamentar, Kuvendi hoqi emrat dhe fotot e deputetëve të rinj, të cilët kanë kërkuar të jenë pjesë e grupit demokrat.
Në seancën e së hënës, Korab Lita konstatoi se si pjesë grupit demokrat ishte regjistruar për të folur edhe Elda Hoti, që sipas tij nuk ishte pjesë e grupit, ndërsa i kërkoi Gramoz Ruçit t’i merrte parasysh kërkesën për largimin e Rudina Hajdarit si kryetare e Grupit Demokrat Parlamentar. Por, kryeparlamentari Ruçi ftoi sërish të rinjtë të mos e bëjnë pjesë të sherreve, dhe t’i sheshojnë mes vehtes mosmarrëveshjet.
Top Channel