“Këtë mandat do të punojmë për Tiranën e 100 viteve të ardhshme”. Kështu u shpreh Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës Anisa Ruseti gjatë dëgjesës me banorë të njësive 7 dhe 11 në kryeqytet ku prezantoi investimet që janë parashikuar për t’u realizuar gjatë 2020-s.
Nënkryetarja Ruseti theksoi se Tirana tregoi në katër vitet e ardhshme jo vetëm që di të bërë realitet premtimet, por edhe të jetë një qytet solidar sikurse u tregua edhe me rastin e tërmetit pak javë më parë. “Në mandatin e parë e kishim fokusin që të tregonim që çdo ditë në Tiranë bëhet një punë konkrete. Ndërsa në 4-vjeçarin e dytë duam të punojmë për Tiranën e 100 viteve të ardhshme, që koinçidon edhe me 100 – vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet. Në mandatin që kaloi si qytet treguam që jemi solidarë dhe kjo u vu re kryesisht në përballimin e fatkeqësive, siç ishte së fundmi edhe tërmeti, ku 35 shtëpi të dëmtuara prej tij po rindërtohen dhe do të jenë gati për festat e dhjetorit”, theksoi Ruseti.
Duke u ndalur tek investimet, Ruseti prezantoi projektet për çerdhe, shkolla dhe transformimin e Piramidës në qendrën më të madhe të inovacionit ku rreth 5 mijë fëmijë do të mund të trajnohen dhe të marrin edhe një profesion të së ardhmes. “Do të nisim projektin e çerdheve pranë vendeve të punës së prindërve, që të kemi mundësi të një shërbimi më të mirë dhe të shtimit të kapaciteteve. Do të punojmë për ndërtimin e 17 shkollave të reja që të eliminojmë fenomenin e mësimit me 2 turne”, tha Ruseti.
Ekonomia dhe punësimi janë një tjetër shtyllë e rëndësishme. Nënkryetarja Ruseti theksoi se Zona Ekonomike e Kasharit, Tregu Agro-ushqimor, si edhe Bulevardi i Ri me një fokus në financë dhe teknologji janë një tjetër objektiv. Ndërkaq, projekti i “100 Lagjeve” do t’i japë qytetit më shumë hapësira komunitare, kënde lojërash e terrene sportive.
Nënkryetarja Anisa Ruseti deklaroi se Bashkia e Tiranës do të ndërhyjë në 25 lagje çdo vit dhe në fund të mandatit ky numër do të shkojë në 100. Krahas investimeve në infrastrukturë, Bashkia ka parashikuar një sërë projektesh edhe për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve në mënyrë që shumë prej shërbimeve të merren në mënyrë elektronike si dhe për shtimin e hapësirave të gjelbra.
Top Channel