Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, njoftoi të martën se Irani do të fillojë injektimin e gazit në centrifugat në objektin e tij Fordo, i fundit në veprimet që bien ndesh me një marrëveshje të vitit 2015 mbi programin e tij bërthamor.

Presidenti Rouhani tha se injektimi i gazit të uraniumit në 1 mijë e 44 centrifuga, është vendosur të fillojë të mërkurën.

Në tekstin e marrëveshjes bërthamore që Irani kishte arritur me Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Kinën, Francën, Rusinë dhe Gjermaninë, i bëhej thirrje Iranit që ta shndërrojë Fordon në një qendër kërkimore, ndërsa i lejohej atij që të përdorë dy nga gjashtë kaskadat e centrifugave pa uranium.

Presidenti iranian Rouhani tha në një paraqitje televizive të martën se të gjitha veprimet e ndërmarra nga Irani janë të kthyeshëm nëse palët tjera të përfshira në marrëveshje, u përmbahen përkushtimeve për ta çliruar Iranin nga sanksionet ekonomike.

Njoftimi u bë një ditë pasi që Irani shënoi 40 vjetorin e pushtimit të ambasadës amerikane në Teheran.

“Ne e shohim këtë si një vazhdimësi të shantazhit bërthamor,” tha një zyrtar i lartë amerikan, pasi Ali Akbar Salehi, shefi i Organizatës iraniane për Energjinë bërthamore, pretendoi të hënën se vendi tani po operon me dhjetëra centrifuga të përparuara – një veprim që bie ndesh me marrëveshjen e vitit 2015.

Zyrtari amerikan tha se Teherani është duke u përpjekur që të nxisë nënshkruesit e shqetësuar evropianë të marrëveshjes bërthamore të njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Marrëveshjes (JCPOA), t’i bëjnë lëshime Iranit.

Presidenti amerikan, Donald Trump, i pyetur të hënën vonë nga Zëri i Amerikës se çfarë do të bëhet pas njoftimeve të Iranit, tha se “po e ndjekim këtë. Do të shohim”.

Ky “është një hap i madh në drejtimin e gabuar”, tha një zyrtar i lartë u administratës amerikane. “U bëjmë thirrje të gjitha kombeve që të dënojnë hapat përshkallëzues të Iranit”, shtoi ai.

Departamenti amerikan i Thesarit shpalli të hënën sanksione të reja kundër Teheranit, duke rritur shkallën e sanksioneve të vendosura tashmë ndaj eksporteve të naftës së Iranit, bankave të tij, transaksioneve financiare dhe udhëheqjes ushtarake të Republikës Islamike.

Në mesin e të goditurve nga sanksionet e reja janë edhe udhëheqësit e shtatmadhorisë së forcave të armatosura dhe të drejtësisë iraniane si dhe i biri dhe shefi i kabinetit të udhëheqësit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khameini.

“Këta individë janë të lidhur me një gamë të gjerë veprimesh të rënda të regjimit, përfshirë bombardimin e kazermave të marinës amerikane në Bejrut në vitin 1983 dhe Shoqatës Argjentinase – Izraelite, më 1994, si dhe me torturat, vrasjet e paligjshme dhe shtypjen e civilëve”, tha Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin. “Ky veprim kufizon më tej aftësinë e udhëheqësit suprem për të ekzekutuar agjendën e tij të terrorit dhe shtypjes.”

Zyrtarët e administratës së presidenti Trump pretendojnë se regjimi në Iran është thelbësisht i njëjtë me atë që ishte në vitin1979, kur një grup protestuesish sulmuan ambasadën amerikane, duke shkaktuar një krizë 444 ditëshe që mori fund vetëm kur u liruan 52 diplomatët amerikanë dhe qytetarët që ishin marrë peng.

“Dyzet vjet më vonë, regjimi revolucionar në Teheran ka provuar sërish se aktet e tij të para pas marrjes së pushtetit ishin një tregues i qartë i karakterit të tij të mbrapshtë,” tha sekretari i Shtetit Mike Pompeo në një deklaratë të lëshuar të hënën. “Regjimi vazhdon të ndalojë padrejtësisht amerikanët dhe të mbështesë grupe terroriste si Hezbollahu që angazhohen në marrjen e pengjeve.”

Një zyrtar i lartë i administratës amerikane i bëri thirrje të hënën Teheranit që të “lirojë menjëherë, për shkaqe humanitare, të gjithë amerikanët që mbahen në truallin iranian”.

Kërkesa u bë derisa Departamenti i Shtetit shpalli një shpërblim të ri deri në 20 milionë dollarë për informacionet që çojnë në vendndodhjen e sigurt dhe kthimin e Robert Levinsonit, i cili u mor peng në Iran 13 vjet më parë me përfshirjen e qeverisë iraniane. Robert Levinson, një agjent në pension i Byrosë Federale të Hetimit, është pengu i mbajtur më së gjati në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Washingtoni dhe Teherani u gjetën përballë njëri tjetrit në Lindjen e Mesme. Iranianët kanë aktivizuar aleatët e tyre në fronte të shumta, duke shtuar shqetësimet se llogaritjet e gabuara mund të çojnë në përplasje të hapur dhe të drejtpërdrejtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Zyrtarët në Washington përsërisin politikën e qeverisë amerikane për ndryshimin e sjelljes së keqe të qeverisë iraniane. Por, kur bëhet fjalë për ndryshimin e egjimit në Teheran, “kjo nuk është politika jonë”, u tha gazetarëve të hënën një zyrtar i lartë i administratës./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA