Për këta fëmijë në Durrës mëngjesi ka nisur në mënyrën më të keqe teksa u është dashur të shkojnë në shkollë duke kaluar në rrugën e përmbytur. Pamjet janë regjistruar në rrugën pranë zjarrfikëses në qytet, e cila është përmbytur.
Me këmbët tërësisht në ujë, fëmijët shihen kur kalojnë rrugën e përmbytur, ndërkohë që do të qëndrojnë në shkollë deri në orët e mesditës.
Edhe pse rikonstruksioni i rrugës, përfshirë kanalizimet, përfundoi këtë vit, kjo nuk i ka dhënë zgjidhje përmbytjeve. Zona ka qenë gjithnjë problematike, duke u përmbytur sa herë që ka shira, por edhe investimi i fundit, që mesa duket nuk është realizuar siç duhet, nuk e ka ndryshuar për mirë situatën.
E vështirë u paraqit situata edhe në zonën pranë stadiumit ”Niko Dovana”, ku ndodhet dhe një kompleks shkollash të mesme, si dhe në kryqëzime të ndryshme në qytet e periferitë e tij.
Nga komunikimi me Zyrën Vendore Arsimore në Durrës rezulton se të gjitha shkollat janë funksionale dhe po zhvillohet normalisht procesi mësimor. Probleme ka pasur vetëm në ambientet e jashtme dhe nëpër rrugë. Me pushimin e reshjeve, ujërat po tërhiqen dhe situata po i kthehet dalëngadalë normalitetit.
Top Channel