Nëntori ka nisur me reshje dhe një ditë shi mjaftoi, e niveli i lumit të Lanës u rrit dukshëm. Kjo zonë zakonisht mbulohet nga uji kur ka reshje me intensitet të madh. Përgjatë 29 kilometrave të Lanës pluskojnë plastika, dhe mbeturina disadekadëshe.
Ndotësit më të mëdhenj janë industritë, bizneset, dhe ne vete. Kjo pamje është e njëjtë gati tek të gjithë lumenjtë e vendit tonë. Lumi i Lanës përshkon mes përmes kryeqytetin dhe shpesh pjesa e poshtme e urave përdoret si tualete nga qytetarët.
“Situata është katastrofë, shihe çfarë bëhet, shikohet me sy të lirë. Dimrit këtu bëhet vaj me det. Bashkia e ka fajin, kush tjetër. Edhe ne jemi fajtorë”, thotë një vajzë duke shtuar, “sepse nuk jemi të përgjegjshëm kundrejt mbrojtjes së ambjentit, dhe ja ku është sot, prova më e qartë”.
“Aroma e keqe, rreziku nga përmbytja është shumë i madh. Njerëzit e papërgjegjshëm po e po, por edhe strukturat vendore e kane fajin. Ato duhet të jenë në këmbë për të shërbyer dhe për të patur në qendër të vëmendjes qytetarin, që paguan taksa”, shprehet një qytetar.
Bashkia e Tiranës ka pranuar se segmenti lumi i Lanës nga “Ura Teknologjike” deri tek kryqëzimi me rrugën “Teodor Keko” nga këndvështrimi hidraulik paraqet problem, pasi në rastet kur ka intensitete të larta shiu, lumi Lana del nga shtrati dhe shkakton përmbytje të zonave përreth në të dy brigjet e saj. Bashkia ka pohuar shkresërisht, se seksioni i lumit që do të rehabilitohet është rreth 1.8 km dhe ndodhet përgjatë Lanës në kalimin e rrugës “Teodor Keko”, e njohur edhe si Unaza e Re.
Top Channel