Greqi/ 41 klandestinë në kamion frigorifer, shpëtohen në minutat e fundit

04/11/2019 19:30

Një tjetër tragjedi, si ajo e Eseks të Britanisë, do të ndodhte nëse në Ksanthi të Greqisë, policia greke nuk do të kryente një kontroll rutinë, në një kamion frigoriferik, i cili po përshkruante rrugën që lidh këtë qytet me Selanikun.

Pamjet e emigrantëve, kryesisht nga Afganistani, që sapo u hapën dyert e kamionit janë shtrirë në tokë,kanë bërë xhiron e mediave greke dhe atyre të huaja.

“Nuk punonte ftohja, por ata që erdhën këtu kishin hipotermi. Dhe nëse do të mund të arrinin në Selanik, disa prej tyre do të kishin probleme serioze”, shprehet mjeku në spitalin e Ksanthit, Georgiso Georgiu.

Megjithëse sistemi i ftohjes nuk punonte, disa prej emigrantëve kanë pësuar hipotermi e të tjerë kanë pasur probleme me frymëmarrjen. Autoritetet greke kanë vënë nën pranga drejtuesin e kamionit me origjinë nga Gjeorgjia.

Ngjarja ka ndodhur në një moment kur qeveria greke përballet me një valë të madhe emigrantësh dhe refugjatësh që vijnë nga brigjet turke.

Por gjithashtu edhe me revoltat e shpeshta, tashmë të banorëve në Greqinë e Veriut, të cilët refuzojnë të mbajnë pranë zonave të banuara familjet e refugjatëve.

“Pyes përsëri. Do të duhet që Greqia të paguajë problemet e mbipopullimit te Afganistanit dhe Pakistanit?”, shprehet Minas Grigoradhis, avokati i një grupi qytetarësh në Janista.

Kampet e financuara nga BE-ja në Greqi janë të mbipopulluara dhe në shumë raste janë shënuar incidente të dhunshme dhe në rastin më të keq, viktima.

Qeveria ka filluar transferimin e azilkërkuesve në territorin e kontinentit për të lehtësuar gjendjen, ndërsa miratoi një ligj javën ekaluar për të shpejtuar procesin e azilit.

Brenda tre mujorshit të fundit, në Greqi, kanë mbërritur më shumë se 40.000 emigrantë. Athina sheh gjithashtu me shqetësim të madhe se Ankaraja po bën realitet kërcënimin e saj duke hapur portat e Egjeut, ndërsa në përballimin e këtij fenomeni që të kujton krizën migratore të vitit 2015, qeveria greke ndihet e braktisur nga Shtetet e mëdha të BE.

Aleksandër Marku

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA