Në një takim me të rinjtë në Elbasan, në kuadër të turit “Rrugëtimi për Shqipërinë”, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u ndal veçanërisht te çështja e largimit nga Shqipëria të moshave të reja.
“Këtë tur e nisim në Elbasan, në një mbrëmje të veçantë, në 4 nëntorin e demonstratës më të madhe që rrëzoi murin e Berlinit. Kjo ditë për mua është shumë e veçantë. Të gjithë duam që vendi të dalë sa më parë nga kjo krizë e tmerrshme. Dështimi “numër 1” i kësaj qeverie është dështimi me rininë. Zotimi im numër një dhe i PD-së është kthimi i shpresës. Qeveria vrau shpresat dhe besimin tek e nesërmja, të rinjtë kanë ikur nga vendi. Rinia është ajo që i kanë hequr të parës vëmendjen qeveritarët e sotëm. Jo për faj të rinisë, por për shkak se kjo qeveri ka vrarë shpresën e rinisë. Ta ndryshojmë këtë vend që i ka të gjithë mundësitë dhe pasuritë. Largimi i të rinjve, problem i madh njerëzor në Shqipëri. Largimi i të rinjve, traumë për ata që detyrohen të largohen sepse nuk kanë zgjedhje tjetër. Para dy javësh KE dhe Gjermania e thanë qartë se Shqipëria duhet t’i japë fund politikës së lidhur me krimin. Të garantojë barazi. Të ndëshkojë ata që shesin e blejnë votën. Emigracioni është një problem i tmerrshëm ekonomik. Humbja potenciale e mundshme nga emigracioni është 559 milionë euro. Sa shumë gjëra të mira mund të ishin bërë me 559 milionë euro për vendin e sidomos për rininë”
Më tej, Basha shtoi:
“Po të investojmë tek rinia, do na kthehet shumë herë në benefite në të ardhmen. Duke investuar te rinia ndalet dhe emigracioni. Nuk ndalet emigracioni duke shtuar policë në kufi.”
Top Channel