Kjo është familja e Esat Zykollarit nga fshati Gungas i Lushnjes, 13 pjesëtarët e saj prej vitesh kanë jetuar nga të ardhurat që u siguronte toka. Këtë vit ata mbollën 5 dylym sera dhe deri më tani nuk kanë shituar asgjë. Ata kanë vendosur të lenë përgjithmonë tokën dhe Shqipërinë.
“Çunat e mi kanë qenë në Greqi, qeveria bëri propagandë dhe tha kthehuni tokës se do të merrni subvencione, bëni sera. U bë 8 vjet që merremi me këtë punë dhe ende nuk kemi marrë lekët që kemi hedhur”, shprehet fermeri, Esat Zykollari.
Keni mbjellë domate, kastraveca, speca çfarë do bëhet me këtë prodhim?
“Do t’i hedhim të gjitha në tokë e do të ikim, jemi tre vëllezër do shkojmë të gjithë në Greqi. Kredi kam mbi 20 milion lekë të vjetra. Vjen data 20 dhjetor do lekët ai boti”, ka thënë djali i Zukollarit.
Sa kredi ke marrë?
“Kam marë 22 milion lekë të vjetra dhe vjen fundi e shikojeni vetë”, u shpreh djali i dytë i Zykollarit.
Përse nuk shitet ky prodhim? Si është historia e çmimeve të produkteve bujqësore?
“Thonë që kanë helme dhe hormone. Shteti le të vijë dhe të kontrollojë serat”, shton ai.
Nesër do të nisesh për në Greqi, në cilin qytet do të shkosh?
“Në Kret”, tha ai.
Çfarë do të bësh atje?
“Do të mbledh ulli”, shprehet djali.
Një familje prej 13 vetash që tashmë do të ndahet?
“Do të ndahen djemtë nga nuset, djemtë nga fëmijët”, tha bashkëshortja.
Sa lek ua kanë kërkuar kilogramin e kastravecit dhe të domates?
“40 lek të vjetra, ndërkohë që kostoja e kilogramit të kastravecit është 400 lek të vjetra. Ndërsa domaten domaten na e kanë kërkuar 150 lek të vjetra, ndërkohë që kostoja është mbi 300 lek të vjetra”, shton djali.
Top Channel