11 nxënësit e shkollës “Tefta Tashko” në Korçë, kanë 6 muaj që nuk marrin bursat. Qendra ekonomike thotë që nuk ua ka çuar fondin Ministria e Arsimit, ndërsa ministria e mohon këtë gjë pasi fondi që është dërguar nga ky institucion ka qenë i plotë. Arsyeja që nxënësit ende nuk kishin marrë bursat që nga fillimi i vitit ishte mosmarrëveshja midis dy institucioneve. U desh ndërhyrja e Fiks Fare që problemi të merrte zgjidhje.
Në Fiks Fare u ankuan nxënësi Flori Hasanllari i cili studion në shkollën e muzikës “Tefta Tashko” në Korçë. Ai u ankua se prej 6 muaj nuk merrte rregullisht bursën që i takonte dhe që shteti i kishte vendosur.
Ai tregon se nuk është i vetmi në këtë shkollë që ka hasur në vonesën e pagesës, por plot 11 nxënës. Ai është interesuar pranë bashkisë dhe e kanë përcjellë duke i thënë se pagesën e prapambetur do u likujdohet totalisht në shtator. Por edhe muaji shtator kaloi dhe ende këta nxënës nuk kanë marrë bursën, bashkia u thotë se fondi nuk është çelur ende nga ministria. Në këto kushte gazetarët e Fiks Fare iu drejtuan pranë Bashkisë Korçë për të mësuar arsyen se pse ka ndodhur kjo vonesë.
Në qendrën ekonomike punonjësit u fshihen gazetarëve dhe nuk pranojnë të japin intervistë, por gjithsesi fajësojnë ministrinë për vonesën e bursave. Gazetarët i drejtohen edhe drejtorit të Qendrës Ekonomike pasi punonjësit e tij nuk japin intervistë , por ai shprehet se nuk i detyron dot punonjësit të japin intervistë. Madje gazetarët e Fiksit ishin dëshmitarë se si këta punonjës i kërkonin llogari drejtorit që drejtoi grupin e gazetarëve te ta , pasi ai duhet të jepte intervistë dhe jo punonjësit.
Duke mos marrë një përgjigje nga ky institucion Fiks Fare i bëri një kërkesë zyrtare Ministrisë së Arsimit se pse nuk është çelur ende fondi. Në përgjigjen e saj ministria pretendon se nuk ka arsye për t’u çelur një fond i ri, pasi fondi që ministria kishte dërguar pranë bashkisë Korçë ishte mëse i mjaftueshëm. Madje ata shkruajnë se shumë shpejt nxënësve do u shpërndahen bursat. Për ministrinë e gjitha kjo situatë ka ardhur si pasojë e keqkuptimit që ka ndodhur midis punonjësve të të dy institucioneve që nuk janë marrë vesh nëpërmjet shkresave zyrtare.
Edhe njëherë , për të zgjidhur një problem shumë të vogël teknik, u desh ndërhyrja e Fiks Fare që nxënësit të marrin bursat e munguara që prej fillimit të vitit 2019.
Top Channel