Parlamenti grek ka miratuar me votat e parties qeveritare të Demokracisë së Re dhe asaj socialiste të Lëvizjes për Ndryshim, projekt-ligjin për përfitimin e azilit që synon të lehtësojë presionin në ishujt grek të Egjeut duke shpejtuar procedurat e azilantëve, por edhe kthimet e emigrantëve ekonomikë.
Votimi erdhi pas një ditë të tensionuar debati në Parlament, por edhe jashtë tij nga protesta të organizatave për të drejtat e njeriut, qe u kurorëzua me përplasjen e fortë të kryeministrit Mitsotakis me liderin e opozits Tsipras, mbi qasjet përkatëse të partive të tyre për problemin e refugjatëve.
Ndërsa vlerësohet se numri i përgjithshëm i refugjatëve dhe emigrantëve që kanë hyrë në Greqi nga brigjet turke ka shkuar në 100.000, Qeveria greke jep mesazhin se tashmë Greqia nuk mund të hapë portat e saj për të gjithë.
Përveç liderit të partisë Syriza që kritikoi qeverinë duke thënë se ishte e papërgatitur për trajtimin e kësaj çështje kaq të rëndësishme edhe partitë e tjera opozitare janë shprehur kundër, pasi sipas tyre projekligji në fjalë do të çojë në një bllokim më të madh të emigrantëve dhe refugjatëve në vend, se është jo efektiv, madje partia e djathtë ‘Zgjidhja Greke’ ka propozuar përsëri dërgimin e tyrë në ishujt e pabanuar të Greqisë.
Ndërkohë gjendja në 4 ishujt e mëdhenj të Egjeut është alarmante. Me një fluks prej gati 300 vetë në ditë, numri i emigrantëve dhe refugjatëve ka shkuar në 34000, prej të cilëve vetëm në kampin e Morias ndodhen mbi 15000, ose pesë herë me tepër se kapaciteti.
Komisionerja Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Dunia Mijatovic, që ka vizituar këto ishuj ka deklaruar se njerëzit që ka takuar në kampet e pritjes jetojnë në kushte kaq të mjerueshme sa nuk mund të durohen nga askush.
Aleksandër Marku
Top Channel