Pas Athinës, kryeministri Edi Rama qëndroi në Romë për një vizitë zyrtare ku u prit nga homologu Giuseppe Conte. Kryeministri Italisë ripërsëriti qëndrimin e shprehur gjatë vizitës në Tiranë, se opozita shqiptare duhet të ulet në tryezën e bisedimeve me shumicën qeverisëse pa asnjë kusht.
“Inkurajova edhe njëherë tjetër kryeministrim Edi Rama për ti bërë një ftesë të hapur opozitës. Kjo me qëllimin e zhbllokimit të krizës politike, e cila prej kohësh po e pengon Shqipërinë të forcojë rrugën e reformave, e në veçanti atë zgjedhore. Unë si kryeministër i një vendi që ka një traditë miqësie shumë të gjatë dhe të fortë me Shqipërinë, po e ripërsëris edhe një herë ftesën forcave opozitare, të ndjekin të njëjtën qasje, me shpirt kontruktiv dhe pa kushte. Dua të theksoj, mos hapja e negociatave është një gabim historik. Perspektiva e Ballkanit është në Bashkimin Europian”, u shpreh Conte.
Kryeministri Edi Rama në konferencën për shtyp foli me terma konkrete se cfarë i kishte kërkuar mikpritësit të tij Giuseppe Conte.
“Ia vlen të shihet edhe situata mbi sigurimet shoqërore për të arritur një dakordësi për njohjen për shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Itali. Ne do të vazhdojmë në këtë bashkëpunim për të intensifikuar marrëdhëniet. Ne si qeveri shqiptare jemi koshientë për rritjen e numrit të qytetarëve italianë që jetojnë në Shqipëri. Gjatë bisedës me kryeministrin Conte folëm edhe për dhënien prioritet të firmave italiane që operojnë në vendin tonë. Folëm edhe për arbëreshët që jetojnë në Itali, që janë një vlerë e shtuar kulturore e shtetit italian në morinë e vlertave kulturore që paraqet Italia”, tha Rama.
Muhamed Veliu
Top Channel