Presidenti amerikan Donald Trump thotë se bota është më e sigurt pas vdekjes së udhëheqësit të Shtetit Islamik Abu Bakr al-Bagdadi, i cili u vra të shtunën vonë gjatë një sulmi amerikan në Siri. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Mike O’Sullivan njofton se aksioni kundër Abu Bakr al-Baghdadit është përshëndetur gjerësisht, por disa analistë paralajmërojnë se rreziku që paraqet grupi terrorist nuk është eleminuar.
Një ekip amerikan i forcave speciale rrethoi al-Baghdatin në një tunel në provincën Idlib në veriperëndim të Sirisë, ku ai aktivizoi një jelek me eksplozivë, duke vrarë veten dhe tre fëmijë. Presidenti Trump tha se 11 fëmijë të tjerë u vendosën në një vend më të sigurt. Nuk pati viktima amerikane në këtë operacion.
Presidenti Trump dhe zyrtarë të lartë e ndoqën operacionin përmes një video-lidhjeje drejtpërdrejt nga Shtëpia e Bardhë.
“Një vrasës brutal që ka shkaktuar shumë vuajtje dhe vdekje, është eleminuar me dhunë. Ai kurrë më nuk do të lëndojë burra, gra ose fëmijë të pafajshëm.”
Pasi shpalli Kalifatin e Shtetit Islamik në qytetin irakian të Mosulit në vitin 2014, Al-Baghdadi sundoi në një gjendje terrori, me përdhunime dhe prerje koke, shpesh të filmuara. Në fillim të vitit 2018, grupi humbi kontrollin e pjesës më të madhe të territorit.
Një banor i Mosulit përshëndeti lajmin për vdekjen e Al-Baghdadit.
“Gjithë komuniteti mysliman është i lumtur. (Vdekja e tij) është hakmarrje për të gjithë dëshmorët irakianë. Ata i prenë kokën xhaxhait të babait tim. Njëri nga vëllezërit e mi u vra nga predhat e tyre”, tha Sa’adun Mohamed, banor i Mosulit.
Mëngjesin e së Dielës, Presidenti Trump falenderoi trupat amerikane dhe të tjerët që bashkëpunuan në këtë operacion.
“Unë dua të falënderoj Rusinë, Turqinë, Sirinë, Irakun, dhe kurdët sirianë për mbështetjen që dhanë për operacionin. Ky ishte një mision shumë, shumë i rrezikshëm”, tha Presidenti Trump.
Kryeministri i Izraelit uroi presidentin amerikan për operacionin.
“Ky është një moment historik, por është pjesë e një beteje më të gjatë, të cilën duhet ta fitojmë”, tha kryeministri izraleit, Benjamin Netanyahu.
Kryeministri britanik Boris Johnson e quajti këtë një moment të rëndësishëm, por tha se lufta kundër grupit të al-Baghdadit vazhdon.
Në fillim të këtij muaji, Presidenti Trump njoftoi tërheqjen e shumicës së trupave amerikane nga zonat e kurde të veriut të Sirisë.
Forcat kurde u tërhoqën nga Siria veriore pas arritjes së një marrëveshje armëpushimi që i dha fund një ofensive të gjerë të forcave turke në këtë rajon. Kjo çoi në dislokimin e njesive ruse në një rrip toke mes forcave turke dhe kryengritësve me bazë në Turqi, që vazhdojnë të kontrollojnë disa zona në Sirinë veriore.
Senatori Lindsey Graham tha se konflikti mes kurdëve sirianë dhe Turqisë duhet të zgjidhet.
Ai e quajti vrasjen e al-Baghdadit një veprim të rëndësishëm, por tha se lufta kundër terrorit nuk ka mbaruar.VOA
Top Channel