NATO-ja e rikonfirmoi angazhimin e saj për misionin në Afganistan dhe tha se do të sigurojë që prania e saj atje të mbetet “e qëndrueshme”.
Zotimi u bë të premten në Bruksel, në fund të një takimi dyditor të ministrave të Mbrojtjes së NATO-s.
Dita e dytë u përqendrua kryesisht në misionin e 16,000 trupave të NATO-s në Afganistan – vendin që po përballet me një kryengritje të intensifikuar të talibanëve dhe me pasiguri rreth strategjisë amerikane.
Në fillim të shtatorit, i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Afganistanin, Zalmay Khalilzad, ka arritur një marrëveshje paraprake me talibanët për t’i dhënë fund luftës 18-vjeçare në Afganistan, por presidenti amerikan, Donald Trump, e ka shpallur më vonë procesin e paqes “të vdekur”.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e riafirmoi një qëndrim të pandryshuar për Afganistanin, duke thënë se “NATO-ja mbetet e angazhuar dhe ne do të vazhdojmë t’i mbështesim forcat afgane”.
Këtë muaj, Trump i ka shqetësuar po ashtu aleatët duke tërhequr papritmas forcat amerikane nga veriu i Sirisë dhe duke i hapur rrugë Turqisë për të filluar një operacion kundër milicive kurde./REL
Top Channel