Departamenti amerikan i Drejtësisë ka nisur një hetim penal rreth origjinës së hetimit të ndërmarrë mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të 2016, sipas një personi që ka dijeni për çështjen.
Hetimi i ri buron nga një rishqyrtim i brendshëm i Departamentit të Drejtësisë mbi origjinën e këtij hetimi të ndërmarrë nga ish-Prokurori i Posaçëm Robert Mueller për Rusinë dhe që përfundoi në muajin mars.
Kreu i Departamentit të Drejtësisë William Barr kërkoi rishikimin pas ardhjes në këtë post në muajin shkurt. Ai tha se kishte pyetje se si dhe përse FBI-ja e kishte filluar këtë hetim, gjatë të cilit u shqyrtuan edhe pretendimet për një bashkëpunim të fshehtë mes fushatës Trump dhe Rusisë.
Në muajin maj, zoti Barr, i cili më parë e kishte kritikuar Prokurorin e Posaçëm Mueller për shtrirje të tepërt të hetimit, caktoi prokurorin federal John Durham për të drejtuar rishqyrtimin e çështjes. Durham, ka drejtuar më parë hetimet federale mbi lidhjet e FBI-së me krimin e organizuar dhe ato për torturat e CIA-s ndaj të dyshuarve për terrorizëm në vitin 2005, shkruan voa.
Me fillimin zyrtar të hetimit, prokurori Durham tani do të jetë në gjendje të ngrejë një juri të madhe dhe të sigurojë dëshmitarë apo dokumente.
Hapja e hetimit lë të kuptohet se zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë besojnë se ekzistojnë “fakte dhe rrethana që tregojnë në mënyrë të arsyeshme” se ka ndodhur një vepër penale. Tani për tani ende nuk është e qartë se cilin do të hetojë prokurori Durham dhe për çfarë krimi.
Në muajin prill, zoti Barr ngjalli polemika kur u tha ligjvënësve se ndaj fushatës së zotit Trump në vitin 2016 ka patur “spiunime”. Ai bëri të ditur se po shqyrtonte origjinën e këtyre aktiviteteve kundër fushatës Trump.
“Mendoj se spiunimi kundër një fushate politike është diçka e rëndë”, tha zoti Barr në atë kohë.
Komenti për “spiunazh” kundër tij u përshëndet nga Presidenti Trump, i cili kishte akuzuar prej kohësh, pa ofruar ndonjë provë, administratën e ish-presidentit Barack Obama për spiunim të fushatës Trump në vitin 2016.
Edhe pse zoti Barr nuk ka thënë se çfarë nënkuptonte me fjalën spiunazh, mendohet se fjala është për survejimin që iu bë ish këshilltarit të fushatës Trump, Carter Page, në vitin 2016 dhe 2017. FBI-ja mori një urdhër të fshehtë për survejimin e tij bazuar mbi një dosje të përgatitur nga një ish agjent i zbulimit britanik, materialet e së cilës nuk janë konfirmuar si të vërteta, shkruan voa.
Përdorimi i të ashtuquajturit “Dosja Steele” u prit me akuza nga republikanët për survejim të paligjshëm të fushatës Trump.
Prokurori Robert Mueller e përfundoi hetimin e tij në muajin mars, duke konkluduar se nuk ekzistonin prova të mjaftueshme që fushata Trump të kishte bashkëpunuar fshehurazi me Rusinë për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të 2016-ës.
Megjithatë zoti Mueller konkludoi se ai nuk mund ta shfajësonte zotin Trump nga akuzat për pengim të drejtësisë, duke ia kthyer këtë çështje kreut të Departamentit të Drejtësisë, Barr. Ky i fundit tha nga ana e tij se nuk mund të gjente asnjë provë për pengim të drejtësisë.
Presidenti Trump vazhdimisht e ka quajtur hetimin fillestar të Departamentit të Drejtësisë për Rusinë një “gjueti shtrigash”.
Top Channel