Të gjithë anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ranë dakord me propozimet e komisionit pranë KLP, që SPAK të ngrihet brenda 30 ditëve.
Në këtë hark kohor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, do të emërojë 8 kandidatët për prokuror pranë SPAK. Po ashtu, brenda nëntorit, do të shfrytëzohen 5 ditë, që prokurorët e emëruar të mund t’u jepet mundësia që të shprehin interes për të zgjedhur mes tyre një drejtues të përkohshëm të SPAK.
Me herët ishte diskutuar që ngritja e SPAK do të bëhej nëpërmjet formulës, tetë kandidatët që kanë kaluar të gjitha fazat e vettingut, dhe dy të tjerë të emëruar apo komanduar përkohësisht, pasi kushtetuta parashikon që SPAK nuk mund të ngrihet me më pak se 10 anëtarë. Por sipas kreut të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimit, kjo përgjegjësi tashmë do t’i kalojë drejtuesit të përkohshëm të SPAK të përcaktojë përbërjen e strukturës.
“Pasi të ngrihet SPAK, drejtuesi i përkohshëm i saj, do të mund të përcaktojë organikën nëpërmjet një mekanizmi që është ai i transferimit të përkohshëm. Në nuk e marrim si përgjegjësi”, shprehet Gent Ibrahimi.
Brenda të njëjtës periudhë 30 ditore, KLP vendosi që të prokurorët e emëruar aktualisht pranë shkallës së parë dhe apelit të krimeve të rënda, të emërohen në prokurori të tjera të juridiksionit të përgjithshëm, pasi me ngritjen e SPAK, Prokuroria e Krimeve të Rënda do të pushojë së funksionuari.
SPAK, u parashikua të niste punën me 15 prokurorë, por aktualisht, kanë mbetur edhe 5 kandidatë në garë për SPAK, të cilët pritet të kalojnë vettingun me vendim të formës së prerë, krahas 8 të cilët do të emërohen brenda nëntorit.
Janë rreth 200 dosje nga prokuroria e Krimeve të Rënda, që do ti kalojnë për kompetencë prokurorisë së posaçme antikorrupsion dhe pjesë e dosjeve janë bandat e trafikur të drogës, organizatat kriminale si dhe rastet e korrupsionit të zyrtarëve të lartë.
Ndërkaqnë fund të korrikut të këtij viti, qeveria ka akorduar 150 milionë lekë ose 1.2 milionë euro nga buxheti i vitit 2019 për strukturën e posaçme që do të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Andi Bora
Top Channel