Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot Shtëpinë e Fëmijës “Fillime të Reja” me Dekoratën “Nënë Tereza”.

Në fjalën e mbajtur, gjatë ceremonisë solemne, të zhvilluar në Institucionin e Kreut të Shtetit, Presidenti Meta u shpreh:

“Kam kënaqësinë e veçantë të nderoj me Dekoratën e lartë ‘Nënë Tereza’ një institucion që ka dhënë një kontribut të madh e të vazhdueshëm për një kategori vulnerabël të shoqërisë sonë, si fëmijët jetimë.

Jam i lumtur që kjo ceremoni zhvillohet në një datë të shënuar për Shtëpinë e Fëmijës “Fillime të Reja” që sot feston 25 vjetorin e themelimit të saj.

25 Tetor 1994 shënon ditën kur Shtëpia e Fëmijës “Fillime të reja” hapi dyert për fëmijët e parë jetimë.”

Duke vlerësuar kontributet e dhëna për 25 vite nga Shtëpia e Fëmijës “Fillime të reja”, për rritjen dhe edukimin e fëmijëve jetimë, Presidenti Meta u shpreh se:

“Periudha dhe situata në të cilën ndodhej vendi ynë, kur kjo shtëpi hapi dyert e saj, ka qenë shumë e vështirë, me një kuadër ligjor ende të pakonsoliduar për çështjen e fëmijëve jetimë, dhe me një situatë sociale dhe ekonomike të rënduar për shumë familje shqiptare.

Ishte varfëria e familjeve shqiptare të sapo dala nga sistemi komunist, por edhe mungesa e strukturave funksionale për të parandaluar nxjerrjen pa kriter të fëmijëve jashtë vendit, ato që shtynë themeluesit të hapnin këtë shtëpi fëmijësh në vitin 1994.”

Gjithashtu Presidenti Meta me anë të një postimi në “Facebook” shkruan:

“Në vlerësim të kontributit të madh e të vazhdueshëm, punës së palodhur, përkushtimit dhe dashurisë ndaj fëmijëve në nevojë, duke iu ofruar mbështetje, përkujdesje dhe ngrohtësi shoqërore, për 25 vite me radhë, pata sot kënaqësinë e veçantë të vlerësoja me Dekoratën e lartë ‘Nënë Tereza’, Shtëpinë e Fëmijës “Fillime të Reja”.
Të shpëtosh fëmijët në nevojë, nga dhuna dhe përjashtimi, duke u ofruar, jo thjesht një strehë, por edukim dhe një të ardhme më të mirë, është një mision fisnik.
Vendi ynë ka sot më shumë se kurrë nevojë për besim dhe shpresë, por mbi të gjitha për dashuri. Dashuri për njëri-tjetrin, dashuri për fëmijët, dashuri për njerëzit dhe atdheun tonë të mrekullueshëm”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA