Tjetërsimi i pronave në Gjirin e Lalëzit përmes një grupi të strukturar kriminal ka vënë nën hetim penal dhe pasuror 27 persona zyrtarë, ish-zyrtarë dhe përfitues të pronës në Durrës, 18 prej të cilëve janë arrestuar, 3 janë shpallur në kërkim, ndërsa për 6 të tjerë është vendosur paraprakisht masa e sigurisë “detyrim paraqitjeje”.

Mes të arrestuarve për tjetërsimin e 68 mijë m2 tokë shtetërore janë ish-drejtuesit e hipotekës së Durrësit, Ardjan Iljazaj, Etleva Nova, Ardian Kona, ish-kryetari i komunës Ishëm Sulejman Ibrahimi, si dhe ish-kryetar e anëtarë të komisionit të ndarjes së tokave në Bizë, juristë të hipotekës, hartografë e topografë.

Të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimi” dhe “Grupi i strukturuar kriminal, kryer në bashkëpunim”.

Përgjatë 5 viteve, nga viti 2013 e në vazhdim personat nën hetim, ish-zyrtarë të lartë dhe disa prej tyre zyrtarë aktualë në kadastrën e Durrësit kanë bashkëpunuar për të tjetërsuar tokën shtet përkundrejt përfitimit të vlerave të ndryshme monetare. Ndërkohë të tjera raste të abuzimit, tjetërsimit të tokave në bregdet janë nën hetim nga prokuroria e Durrësit.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA