Në ligjin e ri për burgjet dhe trajtimin e të burgosurve janë vendosur edhe kriteret e rregjimit të posacëm, apo atij që e quajnë 41 bis nga ligji italian.

Në nenin 18 të ligjit të ri që qeveria e votoi dje si draft përcaktohen mënyra se si vendoset izolimi. Ky rregjim vendoset jo vetëm ndaj të dënuarve por edhe ndaj të paraburgosurve të cilët kanë rrezikshmëri të lartë për shkak të lidhjeve me pjesëtarët e organizatave kriminale, organizatave terroriste, bandave të armatosura ose të grupeve të strukturuara kriminale. Burgosja brenda burgut merret me vendim të ministrit të Drejtësisë, me kërkesë të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme.

Për marrjen e këtij vendimi, ministri i Drejtësisë bazohet në konsultimin me ministrin e Brendshëm, në të dhënat/informacionet e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Shërbimit Informativ të Shtetit, drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve dhe organeve të specializuara në luftën kundër krimit të organizuar e terrorizmit, sipas fushave të përgjegjësisë. Në regjimin e posaçëm të burgosurit kanë të drejtë të takojnë vetëm njëherë në muaj familjarët. Me termin “familjarë” nënkuptohen të paralindurit, të paslindurit, bashkëshortët dhe bashkëjetuesit, sipas parashikimeve të Kodit të Familjes. Takimi me persona të ndryshëm nga familjarët, për personat e dënuar, lejohet me propozimin e drejtorit të institucionit dhe me miratimin e ministrit të Drejtësisë.

Për personat e paraburgosur, takimi me persona të ndryshëm nga familjarët lejohet vetëm me miratimin e prokurorit. Parashikimet e kësaj shkronje nuk zbatohen për takimet me avokatët mbrojtës; b) lejimin e të dënuarit ose të paraburgosurit, i cili nuk kryen takime familjare, për kryerjen e një bisede telefonike në muaj, me kohëzgjatje maksimale dhjetë minuta, e cila regjistrohet. Kryerja e bisedave telefonike për personat e dënuar autorizohet me vendim të arsyetuar të drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, kurse, për personat e paraburgosur, ajo autorizohet me vendim të arsyetuar të prokurorit. Parashikimet e kësaj shkronje nuk zbatohen për kryerjen e bisedave telefonike me institucionin e Avokatit të Popullit dhe me organizata vendase ose të huaja, që veprojnë në fushën e të drejtave të njeriut; ndalimin e përdorimit të vlerave monetare, sendeve dhe objekteve që mund të marrë i dënuari ose i paraburgosuri nga jashtë, sipas parashikimeve në rregulloren e brendshme të institucionit; kontrollin e korrespondencës, përveç asaj me subjektet e përcaktuara në pikën 1, të nenit 51, të këtij ligji, ose me organizata ndërkombëtare, që ushtrojnë aktivitetin e tyre në fushën e mbrojtjes të të drejtave të njeriut; reduktimin e qëndrimit në ajrim në mjedise të hapura, deri në 2 orë, por jo më pak se 1 orë në ditë; dh) përjashtimin nga organet përfaqësuese të të dënuarve apo të paraburgosurve.

Kohëzgjatja e regjimit të posaçëm të ushtrimit të të drejtave në burgun e sigurisë së lartë është një vit, dhe mund të zgjatet për periudha të tjera njëvjeçare. Zgjatja e këtij regjimi vendoset kur rezulton se ekziston akoma mundësia që i dënuari apo i paraburgosuri të jetë i aftë për të mbajtur lidhjet me organizatën kriminale, grupin e strukturuar kriminal, bandën e armatosur apo organizatën terroriste. Për zgjatjen e këtij regjimi duhet mbajtur parasysh edhe profili kriminal i të dënuarit apo të paraburgosurit, roli që ai luan në organizatën kriminale, kohën që është angazhuar në këtë organizatë kriminale, ngritjen e akuzave të reja të pashqyrtuara më parë ndaj tij, sjelljen që ka mbajtur në IEVP dhe nivelin e jetesës së familjarëve të tij. Jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga data e përfundimit të çdo periudhe njëvjeçare, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme mund t’i propozojë ministrit të Drejtësisë zgjatjen e këtij regjimi.

Ministri i Drejtësisë, në bazë të propozimit të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, rivlerëson nëse janë kushtet për vazhdimin e regjimit të posaçëm të ushtrimit të të drejtave ndaj të dënuarit ose të paraburgosurit.Kundër vendimit të ministrit të Drejtësisë, për vendosjen apo zgjatjen e regjimit të posaçëm, i dënuari, i paraburgosuri, avokati mbrojtës apo drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme mund të paraqesin kërkesë ankimore brenda 20 (njëzet) ditëve, nga momenti i njoftimit të vendimit. Kërkesa ankimore depozitohet në Gjykatën e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e cila është kompetente për gjykimin e çështjes, sipas parashikimit të nenit 471, të Kodit të Procedurës Penale. Gjykimi i çështjes nuk pezullon vendimin e ministrit të Drejtësisë. Në rastet kur kërkesa kundër vendimit të ministrit të Drejtësisë pranohet nga gjykata, ministri i Drejtësisë vendos bazuar në vendimin e gjykatës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA