Zëvendës Ndihmës Sekretarja e Mbrojtjes për Rusinë, Ukrainën dhe Euroazinë Laura Cooper mbërriti të mërkurën në Kongres për të dëshmuar mbi ndihmën ushtarake prej 391 milionë dollarësh për Ukrainën e cila u mbajt e ngrirë nga Shtëpia e Bardhë, megjithë këmbënguljen e Pentagonit që ajo të lëvrohej.
Dëshmia vjen në kuadër të hetimeve që ligjvënësit po zhvillojnë rreth veprimeve të Presidentit Donald Trump lidhur me Ukrainën, në një përpjekje për ta shkarkuar atë.
Ndërsa pritej të niste seanca me dyer të mbyllura me zonjën Cooper, ligjvënësit republikanë u përpoqën të bllokojnë dëshminë e saj. Ligjvënësi republikan Mark Meadows tha se republikanët u përpoqën të futën gjatë një seance dëgjimore me një zyrtare të rëndësishme të Pentagonit “pasi kërkojnë një proces të hapur e transparent”. Por ligjvënësi demokrat Eric Swalwell u tha gazetarëve se republikanët vunë në rrezik një zonë të sigurt në Kongres, duke iu referuar vendit ku po zhvillohej seanca me dyer të mbyllura me zyrtaren e Pentagonit. Ai tha se republikanët u përpoqën të pengojnë hetimin si dhe të frikësojnë dëshmitaren, por siç tha më tej ai, nuk do të arrijnë ta vonojnë hetimin.
Demokratët njoftuan se do të publikojnë pjesë të zbardhura të dëshmisë së zonjës Cooper dhe se kanë në plan të zhvillojnë seanca publike në një fazë më të vonë të hetimit.
Dje diplomati më i lartë amerikan në Ukrainë dëshmoi përpara Kongresit se i atij i ishte thënë se Shtëpia e Bardhë do ta zhbllokonte ndihmën ushtarake vetëm nëse Ukraina premtonte publikisht se do të hetonte demokratët, ish-Nënpresidentin Joe Biden si dhe djalin e tij.
Dëshmia me dyer të mbyllura e ambasadorit amerikan në detyrë në Ukrainë William B. Taylor bie ndesh me pohimet e presidentit sipas të cilit nuk ka patur “quid pro quo” me Ukrainën. “Quid pro quo” është një shprehje latine që nënkupton shkëmbimin e një favori me një tjetër favor. Por Shtëpia e Bardhë vazhdon ta mohojë një gjë të tillë.
“Sot kishte thjesht më shumë thashetheme dhe rrjedhje selektive informacioni nga seancat e fshehta e të motivuara politikisht të demokratëve. Kjo marrëzi vazhdon çdo ditë duke u harxhuar më shumë kohë e para taksapaguesve”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Stephanie Grisham në një deklaratë të martën në mbrëmje.
Gjatë dëshmisë së tij ambasadori Taylor përsëriti qëndrimin e tij se ishte diçka e “çmendur” që të kushtëzoje ndihmën e nevojshme ushtarake për Ukrainën me premtimin nga Kievi për të hetuar dyshimet për korrupsion ndaj ish-Nënpresidentit Biden.
Në fjalën e tij të hapjes në seacën me dyer të mbyllura zoti Taylor bëri të ditur se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me ambasadorin e SHBA-së në Bashkimin Evropian Gordon Sondland, i cili dëshmoi javën e kaluar.
“Gjatë telefonatës, ambasadori Sondland më tha se Presidenti Trump i kishte thënë se dëshironte që (Presidenti i Ukrainas) Volodymyr Zelenskiy të deklaronte publikisht se Ukraina do të hetojë Burisma-n dhe pretendimet për ndërhyrje të Ukrainës në zgjedhjet (amerikane) e vitit 2016”, tha në dëshminë e tij zoti Taylor.
Djali i Joe Biden-it, Hunter Biden, ishte anëtari i bordit të Burisma-s, një kompani gazi në Ukrainë. Sipas zotit Trump kur zoti Biden mbante detyrën e nënpresidentit, ai kishte kërcënuar se do ta ndalte ndihmën ndaj Ukrainës, nëse Kievi nuk ndalte një hetim për korrupsion ndaj Burisma-s.
Por zoti Trump nuk ka ofruar asnjëherë ndonjë dëshmi për korrupsion nga ana e Joe Biden apo djalit të tij. Akuza se Ukraina ndërhyri në zgjedhjet presidenciale 2016-s për llogari të demokratëve bazohet në një teori konspirative.
Zoti Taylor tha se zoti Sondland i kishte thënë atij se zoti Trump donte që zoti Zelenskiy “të bënte një deklaratë publike, duke urdhëruar nisjen e hetimeve”.
Sipas zotit Taylor zoti Sondland pranoi se kishte bëri “gabim” kur u kishte thënë zyrtarëve ukrainas se nga premtimi publik i zotit Zelenskiy për të nisur hetimet, varej vetëm takimi në Shtëpinë së Bardhë me zotin Trump.
“Në fakt ambasadori Sondland tha se nga një njoftim i tillë, varej gjithçka, përfshirë ndihma për sigurinë”, shtoi zoti Taylor.
Zoti Sondland u kishte thënë më herët diplomatëve të tjerë se zoti Trump këmbënguli se nuk do kishte pasur një “quid pro quo” në raport me Ukrainën, por në fakt ai po përsëriste atë që zoti Trump i kishte thënë atij.
Komisionet e Dhomës së Përfaqësuesve të udhëhequra nga Demokratët po zhvillojnë seanca dëgjimore me dyer të mbyllura për të përcaktuar nëse do të rekomandojnë ngritjen e akuzave zyrtare për shkarkimin e presidentit Trump, pjesërisht lidhur me dyshimet për përfshirjen e një vendi të huaj në zgjedhjet amerikane.
Ligjvënësja demokrate Debbie Wasserman Schultz e quajti dëshminë e zotit Taylor “si më inkriminuesen që kishte dëgjuar”./VOA
Top Channel