Ndoshta ishte vërtetë shkëmbim favoresh.

Një diplomat i lartë amerikan tha para anëtarëve të një komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve se Presidenti Trump kishte ngrirë ndihmat ushtarake për Ukrainën, me kushtin që presidenti i këtij vendi të dilte publikisht dhe të thoshte se do të hetonte politikanë demokratë.

Deklarata me 15 faqe e zotit William Taylor në hapje të seancës me dyer të mbyllura të zhvilluar të martën, tani është një element qendror në hetimet që mund të çojnë në hapjen e procesit për shkarkimin e mundshëm të presidentit. Kjo dëshmi bie në kundërshtim me deklaratat e përsëritura të zotit Trump se nuk kishte pasur presion ndaj Ukrainës për të bindur Presidentin Volodymyr Zelenskiy të hapte hetime mbi demokratët dhe një kompani që kishte lidhje me pretendentin demokrat në zgjedhjet presidenciale të 2020, Joe Biden.

Demokratët thanë se ishin të shokuar dhe të shqetësuar nga ato që dëgjuan.
Ja disa nga përfundimet kryesore që dalin nga deklarata e Ambasadorit Taylor: ​

UDHËHEQËSI I UKRAINËS “TË DALË NË SHESH”

Në deklaratën e tij, zoti Taylor kujton biseda me zyrtarë të tjerë të administratës Trump, përfshirë Ambasadorin Gordon Sondland.

Zoti Sondland u tha ligjvënësve gjatë dëshmisë së tij se kishte folur me presidentin para se të siguronte Ambasadorin Taylor më 1 shtator se nuk bëhej fjalë për shkëmbim favoresh me Ukrainën. Nga ana e tij, zoti Taylor e kujton ndryshe telefonatën me zotin Sondland.

“Gjatë telefonatës, Ambasadori Sondland më tha se Presidenti Trump i kishte thënë se donte nga President Zelenskiy të deklaronte publikisht se Ukraina do të bënte hetime mbi (kompaninë) Burisma dhe lidhur me zërat se Ukraina kishte ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të 2016,” tha zoti Taylor në deklaratë. Djali i zotit Biden, Hunter Biden ka qenë në bordin drejtues të kompanisë Burisma Holdings.

Po aq me rëndësi, sipas zotit Taylor, ishte komenti i Ambasador Sondland i cili i kishte thënë “çdo gjë” që Ukraina kërkonte do të kushtëzohej nga hapja e një procesi hetimor, përfshirë edhe ndihmat ushtarake të miratuara nga Kongresi, të cilat ishin ngrirë nga Presidenti Trump.

“Ai tha se Presidenti Trump donte nga Zelenskiy ‘të dilte në shesh’ publikisht”.

I PAINFORMUAR

Zoti Taylor tha se mori drejtimin e ambasadër në Ukrainë disa muaj më parë, pasi u dëbua nga detyra ish-Ambasadorja Maria Yovanovitch. Ai foli me zonjën Yovanovitch për ofertën që i ishte bërë dhe se ajo e kishte nxitur ta pranonte “si për arsye politike ashtu edhe për gjendjen morale të stafit të ambasadës”. (Zonja Yovanovitch dëshmoi në fillim të muajit se e kishte larguar nga detyra Presidenti Trump).

Por Ambasador Taylor dëshmoi se po ndjehej gjithnjë e më shumë se po mbahej i painformuar lidhur me politikat ndaj Ukrainës. Ai nuk ishte në dieni të telefonatës së Presidentit Trump me homologun Zelenskiy më 25 korrik.

“Si për çudi,” kujton ai “megjithëse isha shef i misionit diplomatik dhe ishte në plan të takohesha me Presidentin Zelenskiy së bashku me Ambasadorin Volker të nesërmen, nuk mora informacion të drejtpërdrejtë nga Shtëpia e Bardhë” për telefonatën e Presidentit Trump. “Qeveria ukrainase nxori një deklaratë të shkurtër, të padeshifrueshme” lidhur me telefonatën.

DY LINJA KOMUNIKIMI

Zoti Taylor foli për një praktikë të pazakontë në diskutimet për politikat amerikane ndaj Ukrainës: një linjë zyrtare komunikimi përmes Departamentit të Shtetit dhe një linjë tjetër “shumë e parregullt” komunikimi,

Kjo linjë e parregullt, tha zoti Taylor para ligjvënësve, ishte aktiviteti i zotit Rudy Giuliani, jurist personal i presidentit; përfaqësuesit special të presidentit për Ukrainën, Kurt Volker; Ambasadorit të SHBA në BE, Gordon Sondland; si dhe Sekretarit të Energjisë, Rick Perry. Ky grup kishte lidhje me njerëz të fuqishëm në Uashington dhe mund të operonte duke anashkaluar linjat zyrtare të komunikimit përmes Departamentit të Shtetit, tha zoti Taylor. Dhe ata vepronin vërtetë ashtu. Pjesëtarët e këtij grupi përpiqeshin me çdo mënyrë që komunikimet mes tyre të mos dokumentoheshin, tha zoti Taylor.

Në një rast, zoti Sondland i tha Ambasadorit Taylor se nuk donte ndonjë zyrtar amerikan të dëgjonte bisedën e tyre telefonike në qershor. Të nesërmen, kur u bë biseda telefonike, zoti Sondland tha se donte të garantohej se “askush nuk po zbardhte bisedën, as nuk po e përgjonte,” ndërkohë që në bisedë u përfshi Presidenti Zelenskiy, tregon zoti Taylor.

Ambasadori Taylor tha gjithashtu se nga mesi i korrikut u bë e qartë se takimi Trump-Zelenskiy do të zhvillohej pasi Presidenti Zelenskiy të binte dakord për të hetuar kompaninë Burisma Holdings.

“Ishte e qartë se këtij kushti i kishte mëshuar linja e komunikimit që vepronte jashtë rregullave dhe me sa kuptoj udhëzohej nga zoti Giuliani,” tha Ambasadori Taylor.

PËRZIERJE ZYRTARËSH

Zoti Taylor tha se mësoi për herë të parë se ndihmat për Ukrainën ishin të kushtëzuara, gjatë një videokonference më 18 korrik, nga një punonjës i Zyrës së Shtëpisë së Bardhë për Menaxhimin dhe Buxhetin.

“Përnjëherësh kuptova se një nga shtyllat kyçe të mbështetjes sonë për Ukrainën po kërcënohej,” tha ai.

Departamenti i Shtetit, Departamenti i Mbrojtjes, CIA dhe Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, të gjithë mendonin se presidenti duhet të ndryshonte kurs, tha zoti Taylor. Ata u përpoqën të organizonin një takim me të, por takimi nuk u realizua, tha në dëshminë e tij Ambasadori Taylor.

NDIHMA SHUMË TË NEVOJSHME

Ambasadori Taylor foli për nevojë urgjente të Ukrainës për ndihma ushtarake. Ai dhe Ambasadori Volker vizituan vijën e frontit në Ukrainën veriore pak pas telefonatës së 25 korrikut, kur forca rebele të mbështetura nga Rusia vazhdonin luftimet. Zoti Taylor tregon se morën falenderime nga komandanti i forcave në atë zonë për ndihmat që do të dërgonte SHBA. “Unë e dija se ndihmat ishin ngrirë, prandaj ndjehesha në siklet,” tregon ambasadori. Ai nënvizoi se 13,000 ukrainas janë vrarë dhe se të tjerë do të vriten, pa dyshim, nëse nuk lëvrohet ndihma amerikane.

Kur Nënpresidenti Mike Pence u takua me zotin Zelenskiy më 1 shtator, Presidenti ukrainas pyeti thuajse menjëherë për ndihmat e sigurisë, siç mësoi zoti Taylor.

Në takimet e mëpasshme, zoti Taylor tha se Ambasadori Sondland i kishte thënë se riaktivizimi i ndihmave për Ukrainën varej nga vetë zoti Zelenskiy nëse ai do të bënte një deklaratë publike duke njoftuar se do të hapte hetime mbi ish-nënpresidentin Biden dhe të birin.

DONALD TRUMP VEPRON SI BIZNESMEN

Ambasadori Taylor tha para ligjvënësve se zoti Sondland ishte përpjekur në një moment të caktuar të shpjegonte marrëdhëniet me Ukrainën, duke thënë se “Presidenti Trump është biznesmen”. “Kur një biznesmen është gati të autorizojë pagesë për dikë që i detyrohet diçka tjetër, biznesmeni i kërkon personit që më parë të shlyejë detyrimin dhe më pas do të marrë autorizim për pagesën,” kujton zoti Taylor nga biseda me Ambasadorin Sondland.

Me këto terma foli më pas edhe Ambasadori Volker. Zoti Taylor tha se kishte argumentuar para të dy atyre se kjo sjellje ishte e pakuptimtë, pasi Ukraina nuk i detyrohej gjë Presidentit Trump.

“Pezullimi i ndihmave për sigurinë në mënyrë që të arrish përfitime politike në rrafshin e brendshëm është “çmenduri,” siç e kam thënë edhe në SMS-në që kam dërguar,” tha Ambasadori Taylor duke iu referuar një mesazhi-tekst të bërë publik nga demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA