Zbulohet grupi terrorist në Tiranë/ Iranianët do godisnin anëtarët e MEK gjatë festës së Novruzit

23/10/2019 15:16

Pak muaj më parë Shqipëria, dëboi disa diplomat iranianë, mes të cilëve edhe vet ambasadorin si të përfshirë në veprimtari të paligjshme. Ambasada kishte shërbyer si platformë për një grup terroristësh iranianë me mbështetje shtetërore, të cilët sipas policisë së shtetit, do të kryenin akte terroriste gjatë ditës së festimit të Novruzit në Tiranë, ndaj anëtarëve të organizatës MEK, opozitës iranianë që strehohet në Tiranë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, tha se ky grupi që do të organizonte këtë sulm terroristë ndaj organizatës MEK, u zbulua nga institucione shqiptare të sigurisë.

“Celula terroriste drejtohet nga operativi i Forcave QUDS, i njohur si PEYMAN. PEYMAN është rezident i përhershëm në Iran dhe menaxhon në distancë një numër operativësh në Shqipëri dhe në vende të tjera në Evropën Qendrore dhe Perëndimore. Mes të tjerash, ai inicioi dhe zbatoi tentativën e fundit për sulm në muajin mars 2018. PEYMAN menaxhon shumë operativë, disa për grumbullim informacioni dhe të tjerë për të kryer sulme terroriste”, tha Veliu .

Një ndër emrat e terroristëve të zbuluar, është edhe ai i Malek Zadeh, i njohur ndryshe me pseudonimin Ferhat. Ky i fundit, rezulton se dy vitet e fundit ka punuar me Abdulselam Turgut, një figurë e njohur e krimit të organizuar turk, i cili ka planifikuar sulme terroriste me urdhër të PEYMAN.

Një investigim i Top Channel, në vitin 2011, zbuloi se AbdulSelam Turgut ishte arrestuar në 18 shkurt të atij viti për llogari të drejtësisë gjermane, sapo ai hyri në Rinas.

Emri i Turgut, ishte i lidhur me shume hesape të hapura me drejtësinë e Austrisë, Holandës dhe Italisë të cilat e kërkonin për çështje droge.

Gjykata e shkallës së parë i jep Turgut arrest me burg për 40 ditë, ndërkaq apeli i jep një masë më të lehtë duke i dhënë arrest shtëpie.

Pa kaluar dy javë nga ky vendim, Abdulselam Turgut, arratiset duke përdorur një pasaportë fallco. Sipas policisë, Turgut është burgosur së fundmi në Azerbajxhan dhe në Turqi me akuza për trafik droge.

Në vitin 2014, vendi ynë në koordinim me Kombet e Bashkuara dhe SHBA- ja, Shqipëria ka pritur një numër anëtarësh të MEK-ut, një organizatë që e sheh veten si opozita në mërgim ndaj regjimit iranian dhe për këtë shkak regjimi iranian e sheh atë si kërcënim serioz për mbijetesën e tij.

Sipas policisë së shtetit tonë, MEK-u është një shënjestër kyçe për forcat e sigurisë iraniane, të cilat tentojnë të sulmojnë anëtarët e organizatës kudo ku ata mund të jetojnë dhe operojnë jashtë Iranit.

Andi Bora

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA