Kopshti botanik jo vetëm që do të ruhet, por edhe do të shfrytëzohet më mirë nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe do të vihet në dispozicion të qytetarëve të Tiranës.
Nga Parku Olimpik i Tiranës, ku nisi turi i dëgjesave në çdo njësi për projektbuxhetin e vitit 2020, Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se nuk do të ketë ndërtime, përkundrazi e gjithë zona do të ketë një mbrojtje të veçantë që nuk e ka pasur për gjithë këto vite ku është zaptuar.
“Lajmin e mirë që keni marrë vesh të gjithë banorët në njësinë 5 ka të bëjë me megainvestimin që ne do të fillojmë në Kopshtin Zoologjik dhe në Kopshtin Botanik, të dyja prona me hipotekë, të Bashkisë së Tiranës dhe të dyja zona jashtëzakonisht problematike. Për të gjithë ata që tmerrohen thonë që në kopshtin Botanik do ndërtohen kulla, mjafton të shihni perimetrin e kopshtit Botanik dhe të shihni se si tashmë është zaptuar. Kjo që ndodhi, që Bashkia e Tiranës mori administrimin nga qeveria të Kopshtit Botanik pikërisht vjen me këtë kusht që në mbrojtjen e Bashkisë nuk mund ta zaptojë më njeri. Nëse mendonin që po e ruanin, bëni një xhiro në itinerar dhe do shikoni se si është shqyer në të gjithë anët Kopshti Botanik. Nuk ndërron destinacioni, nuk do ketë asnjë ndërtim por më në fund të njëjtin stil menaxhimi që Bashkia e Tiranës ka për kryevepra si Parku Olimpik do e çojë edhe tek kopshti Zoologjik dhe Botanik”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë i kërkoi politikës që të qëndrojë larg punëve publike të qytetit.
“Çfarë mund të bëhet ku politika fut hundët në punët komunale?! Këtu merret edhe presidenti, kryetari i opozitës dhe këta lloj deputetësh njerëz që s’kanë haberin fare dhe as janë votuar për këtë punë në vend që të bëjnë punë e tyre dëshirojnë të bëjnë punën time, të drejtorit të komunales. Kështu që për të gjitha këto arsye, për këto që do të ndezë flakë te kopshti botanik jap fjalën e burrit do zhgënjeheni totalisht se ajo do dalë kryevepër dhe do dilni prapë huq si te lodrat, si te shkolla Kosova, si te Pazari, si te Kalaja, si te bulevardi i ri, si te amfiteatri”, deklaroi Veliaj, teksa nënvizoi se aktualisht duhet të japësh lekë nën dorë që të futesh brenda kopshtit botanik për të bërë një foto.
“Sot duhet të japësh një korrupsion të vogël të të lërë të bësh fotot ditët e dasmës, ka vetëm nuse ditën e dasmës dhe tenderat e rojeve, nuk shkon kjo. Mezi pres të fillojë faza e parë te kopshti zoologjik dhe pastaj faza e dytë te kopshti botanik për ta bërë njësinë 5 akoma më atraktive dhe për t’ia rritur vlerën pronës në këtë njësi. Kopshti Zoologjik dhe Botanik ende nuk e kanë parë investimin, por deri më tani kanë qenë administrim ndryshe. Kopshti Zoologjik edhe pa investimin e madh që do bëjmë I sillte Bashkisë së Tiranës vetëm duke qenë nikoqir, duke mbledhur faturat, biletat, I sillte Bashkië së Tiranës 15 milionë lekë në vit; ndërkohë pra të paktën paguante veten, mirëmbajtjen dhe ushqimin e kafshëve; ndërkohë prapë pa investim, vetëm në vitin e fundit, Kopshti Botanik ka mbledhur 150 mijë lekë të vjetra, as gjysmën e rrogës për një roje, 150 mijë lekë të vjetra, pra po ta pjesëtojmë për 300 ditë, 500 lekë, pra një monedhë 50 lekëshe në ditë, pra prona në zemër të njësisë 5 gjeneron 50 lekë të vjetra në ditë, një kaush me fara, një paketë çumçakiz. A ka sens kjo ?”, deklaroi Veliaj.
Ai tha se momentalisht në kopshtin Botanik as shkencë nuk bëhet, as qyteti nuk e shijon dhe nuk ka akses.
“Ne duam të kalojmë nga një skemë as/ as në një skemë edhe/edhe. Edhe qyteti ta shijojë ama bujrum, edhe shkencë të mirëfilltë të bëjmë për gjithë botanistët dhe biologët dhe ata njerëz të përkushtuar në Fakultetin e Shkencave.Ramë dakord me dekanin Spiro, me të gjithë kolegët e tjerë, I thamë: Ja letra e bardhë, shkruani çfarë investimesh duan, si duhet sera, si duhet të jetë pikat e ujit, si duhet të jetë shati dhe lopata, çfarë lloj humusi duhet, kur I keni orët e eksperimenteve, çfarë investimesh e mjetesh ju duhen, kamionësh? U kënaqën, u përqafuam, sa dha urdhër partia që jo do e sabotojmë, siç sabotojmë teatrin, lodrat, sheshin, Pazarin, siç sabotojmë liqenin, ju kujtohet? “, deklaroi Veliaj.
Top Channel