“Perla e Abu Dhabit” – kështu është quajtur perla natyrale më e lashtë në botë e zbuluar në një ishull pranë kryeqytetit të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Perla është rreth 8 mijë vjeçare dhe u gjet gjatë gërmimeve në ishullin Maravah, që edhe ka zbuluar arkitekturën e parë të emirateve. Gërmimet në ishull, të përqendruara në disa struktura guri të shembura, kanë nxjerrë në dritë edhe qeramika, perla të dekoruara me guacka dhe gurë me maja të mprehta.
Arkeologët kanë përdorur ekzaminimin me radiokarbon për të përcaktuar moshën e perlës dhe sipas analizave ajo i takon viteve 5800-5600 para erës sonë. Në atë epokë, perlat mbaheshin si bizhuteri dhe shkëmbeheshin me Mesopotaminë, Irakun e lashtë, për qeramika dhe mallra të tjera. Autoritetet kanë pohuar se zbulimi ka dëshmuar se perlat ishin të komercializuara në rajon që nga era neolitike.
Zbulimi i perlës më të lashtë në botë në Abu Dhabi, bën të qartë se pjesa më e madhe e historisë sonë moderne ekonomike dhe kulturore i ka rrënjët e thella – kanë thënë zyrtarët. Perla e Abu Dhabit do të ekspozohet tani si pjesë e një ekspozite 10 mijë vite luks, në luvrin e Abu Dhabit, që do të hapet më 30 tetor.
Top Channel