Këshilli i Lartë Gjyqësor, gjatë mbledhjes ditën e martë, vendosi skualifikimin nga gara për në Gjykatë të Lartë të kandidatit, Theodhori Sollaku. Vendimi i KLGJ-së erdhi pasi u dëgjua relatori për verifikimin e kushteve dhe kritereve ligjore për rekrutimin e kandidatëve nga radhët e juristëve të spikatur.

Sipas ligjit, ish prokurorit të përgjithshëm, Sollakut, i lind e drejta që këtë vendim ta apelojë në gjykatën administrative të apelit, nga dita që ai është njoftuar për vendimin që Këshilli i Lartë Gjyqësor ka marrë ndaj tij.

Por ashtu siç ndodhi edhe gjatë garës për në Gjykatë Kushtetuese, edhe në konkurrimin për në Gjykatën e Lartë, lista e pretendentëve për 3 vende vakante, është tkurrur ndjeshëm.

Nga 22 pretendentë për garën, tashmë pas largimit edhe të Theodhori Sollakut, kanë mbetur vetëm 7 emra, të cilët do t’i nënshtrohen vettingut që do të kryhet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Ata do të kontrollohen për figurën e tyre, për pasurinë si dhe aftësitë profesionale.

Në garë kanë mbetur emra të spikatur të drejtësisë në vend, si ai i ish ministrit të Drejtësisë, Ilir Panda, i drejtuesit të shkollës së magjistraturës, Sokol Sadushaj. Personalitete që vijnë nga bota akademike, të tillë si profesor Ervin Pupe, apo Kestrin Katro. Gara vijon me të tjerë emra siç janë edhe juriste të njohura, si Jetmira Rragami, Ardita Alsula dhe Rezarta Melo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA