Të shkelin në tokën e Hënës.
Kjo është ëndrra e radhës e astronauteve femra të stacionit ndërkombëtar hapësinor, që pak ditë më parë, u bënë të parat femra që bënë një shëtitje në hapësirë, duke dalë nga stacioni për të riparuar një defekt.
“Ideja e të qenit gruaja e parë që shkel në Hënë, është thuajse e pabesueshme. Sigurisht kjo është një ëndërr e imja dhe kam gjithë jetën që përpiqem për të, por sidoqoftë, mund të ngushëllohem edhe me faktin se mund të kem njohur gruan e parë që shkel në hënë…”, shprehet astronautja Christina Koch.
Dy astronautet amerikane, Jessica Meir dhe Christina Koch, iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve dhe pjesëtarëve të publikut në një konferencë për shtyp, nga stacioni ndërkombëtar hapësinor.
“Unë nuk e di se si do të jetë procesi i përzgjedhjes por di se çdo person në zyrën tonë është jashtëzakonisht i kualifikuar dhe kushdo që do ta bëjë atë mision do të jetë personi i duhur për këtë dhe do të mbajë me vete shpresat dhe ëndrrat e të gjithëve ne”, deklaroi Koch.
NASA synon të kthejë njeriun në hënë në vitin 2024 dhe përveç astronautit të radhës që do të shkelë në sipërfaqen e satelitit të tokës, planifikon që gjurma e radhës të lihet nga e para astronaute femër. Sidoqoftë, Koch dhe Meir e kanë tashmë një arritje në xhep, atë të të qenit të parat femra që përfunduan një shëtitje hapësinore.
Top Channel