Mijëra vetë vërshuan në rrugët e disa qyteteve të mëdha libaneze për të protestuar ndaj atij që e shohin si “korrupsion i qeverisë”.
Zemërimin e tyre e ndezi propozimi për vendosjen e një takse ditore prej $0.20 mbi telefonatat përmes Whatsapp-it dhe disa aplikacioneve të tjera. Kjo ishte shkëndija e parë; edhe pse qeveria vetëm disa orë më vonë u tërhoq nga planet e saj, tubimet vazhduan. Protestuesit tani kërkojnë dorëheqjen e ekzekutivit, të cilin e akuzojnë për korrupsion dhe keqmenaxhim të krizës ekonomike.
“Nuk jemi këtu vetëm për Whatsappin, por për gjithçka tjetër, karburantin, ushqimin, bukën, çdo gjë”, u shpreh njëri prej tyre.
Protesta, të cilën BBC e quan më të madhen në vend në pesë vjet, mori kthesë të dhunshme kur policia përdori gaz lotësjellëse mbi turmën. Dhjetëra vetë mbetën të plagosur gjatë përleshjeve mes forcave të rendit dhe demonstruesve.
Sipas Times of Israel, njerëzit brohorisnin “revolucion” dhe “kërkuan rrëzimin e regjimit”, një frazë e zakonshme kjo proteste në këtë pjesë të botës arabe. Kryeministri Saad Hariri deklaroi se vendi po kalon në një moment tejet të vështirë, por nuk e ofroi dorëheqjen.
Irida Vasia
Top Channel