Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, paralajmëron se me mos hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian, “ditët e tjera në vazhdim do të jenë ditë të trishta për shqiptarët, në vend të një dite gëzimi që ata e prisnin me padurim”.

Sipas Kryemadhit, “shqiptarët kanë kuptuar qartë që Europa është me ta, por për fat të keq, shqiptarët dhe e ardhmja e tyre europiane, janë sot peng i një njeriu të vetëm, janë peng i Edi Ramës dhe i bllokimit të rrugës europiane vetëm prej tij”.

“Ndaj, shqiptarët nuk do të ndryshojnë asgjë nga bindja se Europa është e ardhmja e vetme e sigurt dhe njëherazi vendimi i tyre është i prerë: të largojnë Edi Ramën si pengesën e vetme të kësaj të ardhmeje”, u shpreh ndër të tjera kryetarja e LSI-së.

Reagimi i plotë

Vendimi i sotëm i BE-së, ishte sigurisht një vendim që shqiptarët nuk do të dëshironin ta dëgjonin asnjëherë.

Dita e djeshme dhe ditët e tjera në vazhdim do të jenë ditë të trishta për shqiptarët, në vend të një dite gëzimi që ata e prisnin me padurim.

Shqiptarët kanë kuptuar qartë që Europa është me ta, por për fat të keq, shqiptarët dhe e ardhmja e tyre europiane, janë sot peng i një njeriu të vetëm, janë peng i Edi Ramës dhe i bllokimit të rrugës europiane vetëm prej tij.

Bashkimi Europian ka treguar qartë se cilat janë pengesat konkrete, cilat janë plagët e thella dhe problemet kritike që i ka hapur Shqipërisë sot Edi Rama.

BE tregoi qartë se rrënimi i themelit të demokracisë në Shqipëri, që është vota e lirë dhe e ndershme, shitblerja dhe kriminalizimi i saj, ku autori i vetëm është Edi Rama, dhe kjo që tashmë është  reflektuar edhe në kushtet që janë bërë publike, kushte që tregojnë dhe rrugën me të cilën do të dalë Shqipëria nga kriza për tu bërë pjesë e Bashkimit Europian.

I vetmi kryeministër në Europë i cili quan normalitet bashkëjetesën me kriminelët dhe grabitësit e pronës publike dhe votës së shqiptarëve, është Edi Rama.

BE refuzoi një qëndrim të tillë dhe u tregoi shqiptarëve se duhet të çlirohen nga kapja kriminale e shtetit të së drejtës, e qeverisë, e demokracisë dhe e lirive të tyre, autori i të cilave është kryeministri i vendit tonë, Edi Rama.

Korrupsioni, trafiku i drogës, pastrimi i parave, koncesionet grabitqare, dhunimi i pronës publike dhe private, kapja e drejtësisë, janë ato që e mbajnë larg dhe peng Shqipërinë nga Europa dhe përgjegjësi i vetëm për këto plagë të thella dhe për këtë pengesë që i bëhet rrugës europiane të Shqipërisë, është një dhe vetëm një,  kryeministri Rama.

Të gjithë shqiptarët kanë kuptuar shumë qartë se me Edi Ramën, bashkimi me BE-në është një objektiv i pamundur, një ëndërr e parealizueshme për ta.

Shqipëria s’është dhe s’mund të jetë kurrë peng i tij, dhe dorëheqja e tij është reflektimi më i pakët për përgjegjësinë e rëndë politike që rëndon mbi kryeministrin.

Shqiptarët ja kanë dalë ta bindin Europën se janë pjesë e saj, se e duan Europën, se kërkojnë të jetojnë me standardet e saj të larta demokratike dhe ekonomike, ndaj dhe e mbështesin masivisht projektin e Europës së Bashkuar. Por shqiptarët e kanë gjithashtu shumë të qartë që pengesa e vetme për këtë ëndërr dhe për rrugën drejt Bashkimit Europian është Edi Rama.

Dështimi i Edi Ramës është individual, është personal, është i fokusuar vetëm te ai sepse ai zgjodhi që të ndërtojë të ardhmen e tij mbi atë të shqiptarëve, të pasurohet në kurriz të shqiptarëve duke i varfëruar ata, zgjodhi ti grabisë ata, zgjodhi tu prishë qetësinë familjare atyre, zgjodhi që të detyroi me qindra dhe mijëra shqiptarë që të largohen nga Shqipëria, për shkak të tokës së djegur që ndërtoi Edi Rama.

Ndaj, shqiptarët nuk do të ndryshojnë asgjë nga bindja se Europa është e ardhmja e vetme e sigurt dhe njëherazi vendimi i tyre është i prerë: të largojnë Edi Ramën si pengesën e vetme të kësaj të ardhmeje.

Shqipëria ishte më afër hapjes së negociatave sesa vendet e tjera, për shkak të shkatërrimit të shtetit, kapjes dhe shpërbërjes së tij nga kryeministri, sot ne jemi shumë pas vendeve të tjera, të cilat ishin shumë më mbrapa nesh vite më përpara. Fqinjët tanë treguan pjekuri dhe maturi politike për të kaluar probleme shumë të ndërlikuara dhe komplikuara, por Edi Rama rrënoi edhe arritjet e realizuara ndër vite, me shumë sakrifica nga shqiptarët.

Vullneti ynë për të mbështetur Integrimin Europian dhe për të bërë çdo sakrificë është i pandryshuar. Ne nuk do të rreshtim së punuari për të ndryshuar realitetin tragjik shqiptar, do të komunikojmë me të gjithë miqtë tanë dashamirës të Shqipërisë në Europë dhe në botë, për tu shpjeguar se sa e rëndësishme është Europa për shqiptarët dhe se nuk duhen dënuar kurrë Shqiptarët, por vetëm një njeri, Edi Rama, i cili ka zgjedhur rrugën anti-europiane dhe që i shërben vetëm vetes së tij dhe interesave të tij të ngushta personale.

Falenderoj në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim Shtete e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e pandalur asnjëherë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve si partnerin tonë strategjik që edhe mbrëmë në një moment të zhgënjimit të shqiptarëve, ata i qëndrojnë në krah popullit shqiptar dhe Shqipërisë, u qëndrojnë në krah aspiratave të shqiptarëve për Integrimin Europian.

Asnjë faktor malinj nuk do të cënojë dot aleancën tonë mbi 100 vjeçare midis Shqipërisë dhe SHBA dhe asnjë faktor malinj nuk do të na largoje nga aspirata e shqiptarëve drejt integrimit në BE.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA