Satilo Basho, vëllai i Tesi Bashos, doli sot përpara trupit gjykues në Gjykatën e Krimeve të Rënda, për t’u njohur me masën e sigurisë. Satilo, së bashku me të vëllain, u arrestuan tre ditë më parë në Selincë të Vlorës.
Satilo akuzohet për shtrëngim me dhunë për dhënie pasurie.
Ka qenë biznesmeni me iniciale S.H., daja i vellezërve Basho, i cili akuzon dy nipërit se i kanë bërë presion për t’i dhënë një shumë prej 100 mijë euro për një tokë ku edhe ata kishin pjesë.
Por ky pretendim nuk u pranua në Gjykatë nga i akuzuari Satilo Basho, i cili theksoi se ka marrëdhënie shumë të mira me dajën.
“Nuk kam lidhje me këtë akuzë. Unë kam shumë marrëdhënie të mira me dajën. Më ka ndihmuar sa herë që kam pasur nevojë. Ai kërkoi vetë që të shkoja e ta takoja unë për të marrë lekët dhe kur e kam marr vesh që është ankuar në polici i kam thënë “pse më fut mua në këtë mesele”. Atëherë e kam takuar edhe dajën dhe më ka thënë “nëse ti arrestohesh unë do vij të deklaroj se ti s’ke lidhje me këtë gjë”. Më pas ky konflikt pronësi u zgjidh mes familjeve tona”, ka deklaruar ai në Gjykatë.
Avokati mbrojtës kërkoi nga Gjykata të pushonte çështjen, pasi, sipas tij, nuk kemi të bëjmë me gjobëvënie.
Ndërkohë në Vlorë po zhvillohet seanca ndaj vëllait tjetër, Tesi Basho, ngjarje për të cilën mund të lexoni më shumë në linkun e mëposhtëm.
Dy vëllezër në gjyq/ Në një ditë gjykohen nga dy Gjykata të ndryshme
Top Channel