Më datë 16 tetor biznesit 24 orësh, bar-kafe në zonën e oxhakut në rrugën Xhanfize Keko i është refuzuar leja mjedisore.
Ky është akt refuzimi nga Agjencia kombëtare e Mjedisit pasi muzika sidomos gjatë mbrëmjeve ishte e padurueshme.
Ankesa e banorëve pranë Njësisë Administrative nr.3 në kryeqytet, ka bërë që Bashkia e Tiranës t’i kërkojë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit marrjen e masave të menjëhershme ndaj subjektit për rregullimin e situatës, ndërprerjen e zhurmës dhe revokimin e lejes mjedisore.
Ushtrimi i aktivitetit të këtij subjekti është kthyer në një shqetësim të madh për banorët e pallatit dhe zonës përreth. Ndotja akustike, toni i lartë i muzikës gjatë orëve të ditës dhe sidomos të natës janë kthyer në makth për qytetarët duke e bërë të pamundur jetesën në këtë pallat. Njoftime të shumta nëpërmjet telefonatave I janë drejtuar policisë së rendit dhe policisë bashkiake, por edhe me praninë e tyre nuk ka asnjë reagim nga ana e subjektit për ulje të volumit të muzikës” shkruhet në shkresën e Bashkisë së Tiranës drejtuar institucionit të dhënies së lejeve mjedisore.
Më tej, thuhet se vetë subjekti ka realizuar dëgjesë publike me grupet e prekura, ku është dakordësuar vazhdimësia e aktivitetit me kushtin e kufizimit të volumit të muzikës, por ky kusht është shkelur, gjë që ka sjell në refuzimin e lejes mjedisore. Pavarësisht kësaj, biznesi vazhdon aktivitetin normalisht.
Kristi Gongo
Top Channel