Presidenti amerikan Donald Trump u përball me kritika të forta nga ligjvënësit e të dyja partive të mërkurën në lidhje me vendimin e tij për tërheqjen e forcave amerikane nga Siria verilindore. Tërheqja u pasua me sulme të shpejta të Turqisë ndaj kurdëve sirianë, të cilët ishin një aleat i rëndësishëm amerikan në luftën kundër terroristëve të Shtetit Islamik. Dhoma e Përfaqësuesve votoi me shumicë dërrmuese të enjten në favor të një rezolute që dënonte vendimin e Presidentit Trump për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria. Presidenti Trump thotë se ai po i kërkon Turqisë që të ndalë inkursionin e saj në veri të Sirisë.
Presidenti Trump u tha gazetarëve të mërkurën se ai po kthente ushtarët amerikanë në shtëpi ashtu siç kishte premtuar gjatë fushatës së tij presidenciale.
“Ka ardhur koha për rikthimin e ushtarëve tanë në vend. Kështu duhet të jetë. Ne nuk kemi patur ushtarë të plagosur ose të lënduar, sepse unë jam president dhe ne jemi më të mirët. Mos e harroni këtë.”
Presidenti Trump hodhi poshtë akuzat se ai i kishte dhënë Turqisë dritën jeshile për të pushtuar veriun e Sirisë në një bisedë telefonike me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan.
“Unë i dërgova një letër të fortë (presidentit turk) menjëherë pas bisedës. Asnjëherë nuk iu dha drita jeshile.”
Një delegacion amerikan i drejtuar nga Nënpresidenti Presidenti Mike Pence ndodhet në Ankara me synimin që të bindë presidentin turk Erdogan të arrijë një marrëveshje armëpushimi në veri të Sirisë, ose të përballet me sanksione të ashpra amerikane.
Ligjvënësit amerikanë, dyshojnë se kërcënimi me sanksione do të ndalonte gjakderdhjen e shkaktuar nga forcat e mbështetura nga Turqia. Mbështetësi i Presidentit Trump, Senatori Republikan Lindsey Graham, tha se largimi i trupave amerikane krijoi një boshllëk në Sirinë veriore që u mbush shpejt nga armiqtë e Shteteve të Bashkuara.
“Rusia dhe Irani nuk janë miqtë tanë. Ata nuk do të mbrojnë interesat amerikane. Kurdët janë miqtë tanë. Ata janë braktisur.” Dhoma e Përfaqësuesve të Mërkurën votoi me 354 vota pro dhe 60 kundër në favor të një rezolute që dënon vendimin e Presidentit Trump.
Pas votimit, Presidenti Trump u takua me përfaqësuesit e të dyja partive në Shtëpinë e Bardhë, por Demokratët e braktisën takimin pasi njoftohet se ai e quajti kryetaren demokrate të Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi një “politikane të shkallës së tretë”.
“Unë mendoj se votimi, më shumë se 30 për qind e ligjvënësve republikanë votuan për të kundërshtuar atë që bëri presidenti, me siguri e befasoi presidentin sepse ai ishte i tronditur nga kjo. Dhe për këtë arsye ne nuk mund të vazhdonim takimin sepse ai thjesht nuk kishte lidhje me realitetin e tij”, tha kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.
Ligjvënësit republikanë fajësuan Pelosin për braktisjen e takimit.
“Kur jemi në kohë krize, udhëheqësit duhet të qëndrojnë, pavarësisht nëse u pëlqejnë ato që thuhen apo jo, dhe duhet të punojnë për të zgjidhur problemet”, tha udhëheqësi i pakicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy.
Ndërsa ligjvënësit po i bëjnë thirrje Presidentit Trump që të ndryshojë vendimin e tij, situata në terren në Siri tashmë ka ndryshuar. Trupat e qeverisë siriane u bashkuan me përpjekjet e kryengritësve kurdë dhe grupeve të tjera lokale për të bllokuar pushtimin e pjesës veriore të vendit nga Turqia. Pasi marshuan në qytetin e rëndësishëm të Manbixhit të martën, këto forca hynë në qytetin kufitar strategjik të Kobanit të mërkurën vonë.
Rusia është zotuar se do të parandalojë përleshjet mes Turqisë dhe forcave të qeverisë Siriane që mbështeten nga Moska./VOA
Top Channel