Një 31-vjeçar në Burrel, i marrë me forcë në automjet u shpëtua në kohë nga policia, e cila vuri në pranga një nga pengmarrësit, shpalli në kërkim 3 të tjerë si dhe po ndjek penalisht, në gjendje të lirë, një tjetër person.
Ditën e djeshme, policia mori informacion se në lagjen “Pjetër Budi” në Burrel po ndodhte një konflikt mes disa personave.
Kështu, shtetasi S. L., në bashkëpunim me shtetasit L. I., M. B., S.L., dhe I.K, për shkak të një konflikti të hershëm dyshohet se nën kërcënimin e armës ka marrë me forcë në automjet shtetasin A. H., 31 vjeç dhe më pas e ka dërguar në banesën e shtetasit I. K., në fshatin Batër e Madhe, Burrel.
Është bërë i mundur arrestimi i shtetasit: SL., 32 vjeç, banues në Burrel. U shpallën në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve: S. L., 31 vjeç, L. I, 34 vjeç, M. B., 24 vjeç, të gjithë banues në Burrel, si dhe procedohet penalisht në gjendje të lirë shtetasi I. K.
Gjatë kontrollit në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar nga Policia arma e zjarrit tip kallashnikov model 56, me 15 fishekë dhe automjeti tip “Mercedes Benz”, i përdorur nga këta shtetas.
Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë Mat për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe minicioneve luftarake”.
Top Channel