“Jo”-ja e Brukselit ka dëshpëruar dhe zhgënjyer jo pak qeverinë në Maqedoninë e Veriut. Kryeministri Zoran Zaev, menjëherë pas publikimit të vendimit, kërkoi konsultime në qeveri dhe mblodhi kabinetin për të diskutuar se cfarë hapash do të ndërmarrin pas dështimit për marrjen e datës për negociatat.

Konsultimet politike në Shkup po zhvillohen në disa nivele dhe po shqyrtohen dhe analizohen të gjitha opsionet lidhur me hapat e ardhshëm që do të ndërmerren – tha qeveria e Maqedonisë ndërkohë që më herët pati edhe zëra për dorëheqjen e Zaev, që rezultuan të pavërteta. Më herët, presidenti Stevo Pendarovski, iu drejtua popullit maqedonas me një fjalim në të cilin nënvizoi nevojën për unitet.

“Fatkeqësisht pritshmëritë tona nuk janë në përputhje me vendimin e Këshillit Evropian në lidhje me marrjen e datës për fillimin e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE. Por vendi duhet të vazhdojë reformat dhe nuk kemi nevojë vetëm për formalitete. Për mos-marrjen e datës nuk duhet të fajësohen anëtarë të caktuar të Unionit ndërkohë që tani është koha për unitet politik”, ka thënë Pendarovksi.

Në emër të ardhmërisë së vendit, Pendarovski i bëri thirrje liderëve partiakë të lënë mënjanë inatet politike, pasi më shumë se kurrë, tani vendi ka nevojë për unitet. Me këtë qëllim, ai ka thirrur edhe një mbledhje me liderët politikë, të dielën, më 20 tetor. Opozita ndërkohë ka nxituar të kërkojë dorëheqjen e kryeministrit Zaev dhe zgjedhje të parakohëshme parlamentare.

Për VMRO-DPMNE, fajtore për mosmarrjen e datës nuk është Franca, por krimi dhe korrupsioni në vend. E thuajse në të njëjtën linjë janë edhe Ziadin Sela i aleancës për shqiptarët apo Bilal Kasami i lëvizjes Besa.

Sidoqoftë, qeveria e Maqedonisë së veriut konfirmon se vendi mbetet i fokusuar në Evropë dhe se alternativë tjetër nuk ka, me sytë tani nga aleanca e atlantikut verior, ku Maqedonia e veriut do të bëhet së shpejti anëtarja e 30 e saj.

Ardita Becolli

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA