Shumica e vendeve anëtare të BE donin hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e veriut, por kjo nuk ndodhi. Këto ishin fjalët me të cilat presidenti i këshillit evropian Donald Tusk, hapi konferencën për shtyp në fund të samitit dy ditor të liderëve evropianë në Bruksel.
Sipas Tusk, faji për këtë nuk është as i Shqipërisë dhe as i Maqedonisë së veriut, por ai sqaroi se BE ka një strukturë komplekse dhe në raste si ky, kërkohen vendime unanime, çka rezultoi e pamundur të arrihej.
“Maqedonia e veriut dhe Shqipëria nuk duhen fajësuar për këtë. Të dyja këto vende kanë bërë çfarë duhej të bënin. Të dyja e meritonin hapjen e negociatave, që sot. Ato janë gati. Por ne nuk mundëm të arrinim një vendim pozitiv”, shprehet Tusk.
Tusk i ka dërguar një mesazh shqipërisë dhe maqedonisë së veriut.
“Ju lutem mos u dorëzoni. Unë e kuptoj plotësisht frustrimin tuaj. Ndonjëherë, duhet shumë kohë për vendime të rëndësishme. Por nuk kam asnjë dyshim se një ditë ju do të jeni anëtarë me të drejta të plota të BE”.
Presidenti i komisionit evropian, Jean Claude Juncker, nuk e fshehu zhgënjimin.
“Jam shume i zhgënjyer per rezultatet e zgjerimit. Ky ishte një gabim i madh. Ne i kemi inkurajuar ato vende. I kemi bërë premtime publike. Nëse duhet të mbetemi të respektuar, duhet të mbajmë premtimet e dhëna”.
Për Donald Tusk dhe Jean Claude Juncker, që e shfrytëzuan këtë konferencë shtypi edhe për të dhënë lamtumirën e tyre, më shumë se sa një dështim, mos hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e veriut, ishte një gabim.
Pak para tyre, ishte kancelarja gjermane, Angela Merkel, ajo që paralajmëroi zhgënjimin në Tiranë dhe Shkup.
“Në fakt kur bëjmë premtime, patjetër që duhet t’i mbajmë dhe nuk duhet t’u kthejmë shpinën vendeve ndërkohë që bëjmë premtime. Në fakt janë disa faza sa i përket anëtarësimit në BE”,shprehet Merkel.
Edhe vetë ai që sanksionoi këtë ‘jo’ të padëshiruar për Tiranën dhe Shkupin, presidenti Francez, Emmanuel Macron, pranoi se Shqipëria dhe Maqedonia e veriut kanë bërë reforma të guximshme por sipas tij, e gjithë kjo nuk mjafton.
“Shqipëria po kalon në disa reforma të mëdha. ne e pranojmë se është bërë progres, por duhet bërë akoma më shumë. Ka disa situata të pakontrolluara. Ka probleme me emigrimin. Sidoqoftë, në thelb të qëndrimit tim, është vizioni për Evropën. Në BE ka probleme të brendshme dhe përpara zgjerimit duhet një reformim i brendshëm”, ka thënë Macron.
Ishte komisioneri në largim i zgjerimit, Johannes Hahn, ai që e dha i pari lajmin e hidhur përmes një postimi në twitter.
“Liderët e BE-së nuk mundën të binin dakord për çeljen e negociatave. Zhgënjim i madh. Vendet e BE duhet të sqarojnë tani se sa serioz është angazhimi i tyre për integrimin e Ballkanit Perëndimor. Ky nuk është një moment lavdie për Evropën. Të refuzosh njohjen e një përparimi të provuar tashmë, do të ketë pasoja negative, përfshirë këtu rrezikun e destabilizimit të Ballkanit Perëndimor me impakt të plotë dhe në BE” shkruan ai. Në këtë mënyrë, ambicia e Shqipërisë dhe Maqedonisë së veriut për anëtarësim në BE, mbetet ende e ngrirë. Pika ku liderët evropianë ngulin këmbë është: zgjerimi do të vazhdojë por kjo, pas reformimit të bllokut.
Top Channel