Prej 4 orësh vijojnë diskutimet në Bruksel midis liderëve të shteteve të Bashkimit Evropian për të arritur një marrëveshje mbi zgjerimin.
Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk ka thirrur një pushim duke shpresuar të ndërmjetësojë një marrëveshje që do të kapërcejë kundërshtimin e ashpër të presidentit francez, Macron, për hapjen e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Disa draft-propozime janë vendosur në tryezë, të cilat përmbajnë edhe idenë e ndarjes së Tiranës dhe Shkupit në procesin e nisjes së negociatave.
Por gazetari i EurActiv, Gerardo Fortuna raporton se është Italia që i ka vendosur veto idesë së ndarjes së dy shteteve ballkanike.
“Bisedimet e anëtarësimit janë prioriteti kryesor i Italisë në Këshillin Evropian”, është shprehur një diplomat evropian.
Roma nuk do të pranojë asnjë ndarje midis dy shteteve ballkanike si mundësi për zgjidhjen e këtij ngërçi, raporton gazetari Fortuna. Italianët janë të bindur se Bashkimi Evropian do të japë një sinjal më të fortë nëse bëjnë një lëvizje në favor të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, por përveç Francës, janë Holanda dhe Danimarka që po shprehen gjithashtu kundër.
Gjithsesi, burimet diplomatike thonë se nëse Franca tërhiqet edhe dy shtetet e tjera të BE-së do të bëjnë të njëjtën gjë.
Top Channel