Pas shtyrjes së fillimit të negociatave të pranimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian, David McAllister deklaroi se kjo është një ditë e keqe për Evropën, që është ndërtuar mbi tejkalimin e ndarjeve të brendshme dhe të jashtme.
”Bashkimi Evropian nuk ishte në gjendje të tregonte lidership, kurajë dhe vizion strategjik. Mos marrja e vendimeve të guximshme dëmton stabilitetin, parashikueshmërinë dhe besueshmërinë e BE-së në sytë e partnerëve dhe miqve tanë”, deklaroi McAllister.
McAllister shtoi se BE ka dështuar në një provë të aftësisë së saj për të përmbushur angazhimet e saj.
“Duke dështuar në njohjen e udhëheqjes vizionare dhe të reformave të dhimbshme e të thella si dhe në mbajtjen e premtimeve tona, BE rrezikon të humbasë ndikimin e saj dhe jep sinjalin që aktorë të tjerë janë të lirë të ndjekin axhendën e tyre në rajon”, theksoi McAllister.
“Mosvendimet tona kanë bërë të dështojnë miqtë dhe aleatët tanë europianë. Dritarja e mundësive e hapur nga Marrëveshja historike e Prespës dhe reforma gjyqësore në Shqipëri po mbyllet”, shtoi ai.
McAllister theksoi se ”një pakicë e vogël në Këshill është përgjegjëse për faktin që Europa rezulton e ndarë, në vend që të përparojë drejt unitetit dhe pajtimit në Ballkanin Perëndimor. Këto shtete anëtare kanë diskredituar gjithashtu qëndrimin e Parlamentit Evropian, i cili mbështet hapjen e pakushtëzuar të negociatave”.
Top Channel