Berati është një nga qytetet me risk të lartë përmbytjeje për shkak të daljes nga shtrati të lumit Osum. Pikërisht për këtë arsye ka nisur pastrimi dhe sistemimi i shtratit të lumit.
Në mungesë të fondeve, Bashkia ka gjetur si zgjidhje bashkëpunimin me biznesin dhe vetë banorët që janë përherë të rrezikuar nga përmbytjet e Osumit.
Ndërhyrja ka filluar në pjesën e lumit që kalon përgjatë shëtitores së Beratit e më pas përmes përmes lagjeve muzeale Mangalem dhe Goricë. Mijëra metra kub dhera dhe mbetje të ngurta janë hequr ditët e fundit nga ky segment i lumit. Kryetari i bashkisë së Beratit thotë se po bën të pamundurën për të mbajtur nën kontroll emergjencat gjatë stinës së reshjeve.
Bashkia e Beratit është në një situatë të vështirë financiare dhe shifrat e deritanishme flasin për një borxh prej 2.6 miliardë lekësh. Në çdo periudhë reshjesh të vazhdueshme lumi Osum del nga shtrati në zona të ndryshme duke përmbytur shumë banesa, pa përjashtuar edhe Pedonalen në lulishten e qytetit.
Top Channel