Alarmi i rremë për bombë në makinën e gjyqtarit Markelian Kuqo është dhënë nga një telefonatë e bërë nga brenda burgut të Drenovës në Korçë.
Mësohet se është Neim Behari personi qe ka kryer telefonatën, i cili në mars të 2005-ës ka vrarë një taksist. Ndërkohë në 2016-ën ka kërcënuar nga burgu i Fushë Krujës për akte terroriste në kryeqytet.
Sa i përket ngjarjes së sotme, telefonata, e cila më pas u klasifikua si e rremë, bëri që policia të vihet në alarm dhe të rrethojë Gjykatën, ndërsa forcat e njësisë antieksploziv kryen verifikimet në automjetin e gjyqtarit që gjendej brenda parkingut të Gjykatës së Shkallës së Parë në Korçë.
Por ndërsa policia ka kontrolluar me imtësi automjetin asnjë element që mund të kërcënonte jetën e gjyqtarit nuk është konstatuar, ndërsa vetë ai ka lënë mjediset e punës duke u shprehur se nuk kishte nevojë për mbrojtje duke e konsideruar telefonatën një krijim të një grushti kriminal.
Top Channel