Opozita ka dalë me një deklaratë të përbashkët pas publikimit të opinionit të Venecias për presidentin Ilir Meta sot.
“Komisioni i Venecias konfirmoi se Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Ilir Meta nuk ka kryer asnjë shkleje të Kushtetutës dhe se iniciativa qeveritare për shkarkimin e tij bie ndesh me Kushtetutën”, thuhet në deklaratën e opozitës.
Opozita thotë më tej se: “Opinioni konfirmoi edhe njëherë se qëllimi i vetëm i Edi Ramës është kapja e të gjitha pushteteve, rrënimi i shtetit ligjor dhe parimit të ndarjes e balancimit të pushteteve, me qëllimin e vetëm të mbrojtjes së krimit dhe korrupsionit qeveritar”.
DEKLARATË E PËRBASHKËT E OPOZITËS SË BASHKUAR
Opozita e Bashkuar përshëndet opinionin e Komisionit të Venecias që rrëzoi planin antikushtetues të Edi Ramës për të uzurpuar institucionin e Presidentit të Republikës.
Komisioni i Venecias konfirmoi se Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Ilir Meta nuk ka kryer asnjë shkleje të Kushtetutës dhe se iniciativa qeveritare për shkarkimin e tij bie ndesh me Kushtetutën.
Opozita e Bashkuar vlerëson rolin e Presidentit të Republikës, të konfrimuar edhe nga Komisioni i Venecias, se, me anullimin dhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve, Presidenti ka ndjekur një qëllim legjitim për të shmangur konfliktet e mundshme sociale dhe për të mbrojtur demokracinë në vend.
Komisioni i Venecias pohon se qeveria e Edi Ramës nuk ka ndjekur rrugën kushtetuese për kundërshtimin e Dekreteve të Presidentit. As Qeveria dhe as Parlamenti monist nuk kanë sfiduar përpara asnjë gjykate Dekretet Presidenciale. Kjo nënkupton se Dekretet e Presidentit për anullimin dhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve janë edhe sot në fuqi.
Votimet moniste të 30 Qershorit, të mbajtura pa Dekret të Presidentit të Republikës, janë jo vetëm antikushtetuese, por një akt i paprecedentë në historinë e 30 viteve demokraci. Ky akt është një hap i madh prapa, që bie ndesh me vlerat dhe strandardet europiane.
Opinioni konfirmoi edhe njëherë se qëllimi i vetëm i Edi Ramës është kapja e të gjitha pushteteve, rrënimi i shtetit ligjor dhe parimit të ndarjes e balancimit të pushteteve, me qëllimin e vetëm të mbrojtjes së krimit dhe korrupsionit qeveritar.
Edi Rama është konfirmuar si Kryeministri i vetëm në Europë që, pasi kontrollon politikisht Parlamentin, prokurorinë, gjykatat, ekonominë, pushtetin lokal, po tenton të kapë politikisht edhe institucionin e Presidentit.
Opinioni Final i Komisionit të Venecias rrëzon propagandën e Edi Ramës për shkarkimin e Presidentit, propagandë e cila mbahet në këmbë nga një komision parlamentar me mision të dështuar antikushtetues.
Top Channel