Dhoma Penale e Gjykatës së Tiranës, vendosi masën e detyrimit të paraqitjes për tre banorët e unazës së re, të arrestuar në flagrancë menjëherë pas përfundimit të protestës mbrëmjen e së premtes.

Për Eduart Ferhatin, Rruzhdi Dacin dhe Tomorr Gjatën, prokuroria kishte kërkuar arrest me burg.

Të tre personat, akuzohen për veprat penale, të organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime e manifestime të paligjshme, prishja e rendit dhe qetësisë publike si dhe pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit.

Ky vendim i pasdites së të hënës, rrëzoi precedentin e gjykatës, e cila për të njëjtat vepra penale, të dielën vendosi të mbajë në burg tre banorë të tjerë të Unazës së Re, Ilir Katiraj, Gramoz Shehu dhe Skënder Doda.

Edhe këta pjesëmarrës në protestat e organizuara në zonën e Astirit.
Me ndryshimet e reja të kodit penal, gjithkush që do të bllokojë qarkullimin e mjeteve të transportit, rrezikon deri në tre vite burg, duke e konsideruar kështu bllokimin, vepër penale.

Kodi i ri penal, ka çuar pas hekurave 16 persona, banorë të zonës së Astirit, të cilët prej një viti protestojnë pothuajse çdo mbrëmje duke bllokuar rrugët.

10 protestues u arrestuan në flagrancë pas protestës së zhvilluar mbrëmjen e së dielës ku pjesëmarrës ishte edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Mes të arrestuarëve është edhe ish deputeti i PD-së Klevis Balliu.
Të dhjetë protestuesit po qëndrojnë në ambjentet e drejtorisë së policisë Tiranë, ku sipas informacioneve që Top Channel ka marrë, ata pritet të dalin përpara trupit gjykues ditën e mërkurë për tu njohur me masën e sigurisë.

Ndërkaq, policia po punon për identifikimin e personave të tjerë të cilët kanë qenë pjesë e protestave të fundit të organizuara nga banorët e unazës së re dhe që sipas saj, janë bërë pengesë për lëvizjen e lirë të mjeteve në rrugën Teodor Keko.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA