21 mijë maturantë do të studiojnë në 38 universitetet publike dhe private të vendit për vitin e ri akademik 2019-2020.
Referuar procedurave të legalizimit të dokumentave për aplikime në universitetet e huaja dhe mbi pritshmëritë e Agjencisë së Shërbimeve Arsimore, rreth 4000 mijë maturantë do të studiojnë jashtë vendit, kryesisht në universitetet e Gjermanisë, Austrisë, Italisë, Francës e Turqisë.
“Tarifat për këtë vit na janë ulur. Nga 300 mijë lekë të vjetra, ka shkuar 150, thotë një student. Mua më duket më mirë tani që nis masterin, sesa kur isha student, thotë një djalë. Universiteti ynë është I akredituar dhe do të doja që të qëndroja në Shqipëri, pasi dega ime ofron mundësi punësimi. Unë do të bëj 3 vjet këtu dhe do shkoj jashtë për mundësi më të mira punë dhe rritje profesionale, thotë një studente”, shprehen studentët e Universitetit Bujqësor të Kamzës.
1350 maturantë nisën studimet në Universitetin Bujqësor të Kamzës në 25 programet e studimit. Por Fakulteti i Shkencave Pyjore, po përballet më një situatë të pakuptimtë.
“Fakulteti ynë ka tre dege, Inxhinieri Pyjore, Inxhinieri e Përpunimit të Drurit dhe Dizajn i Mobilieve dhe Interier. Kjo e fundit ka 22 te regjistruar deri më tani, por problem kemi me dy degët e tjerë. Në Përpunim Druri kemi 8 regjistrime dhe në Inxhinieri Pyjore 7 regjistrime. Shpresojmë që të ketë regjistrime të tjera deri më 31 tetor kur përfundon gjithë procesi. Por absurdi në këtë situatë është që tregu i punës është i etur për profesionistë të këtyre profileve. Institucione pyjore, nga Bashkitë që menaxhojnë vetë pyjet, nga firma të përpunimit të drurit kërkojnë profesionistë, por ne nuk po prodhojmë të tillë”, shprehet Dekan i Fakultetit të Shkencave Pyjore, Leonidha Peri.
Fakulteti i Shkencave Pyjore, sapo ka akredituar Masterin Shkencor në Inxhinieri Pyjore dhe do të vazhdojë me akreditimin e dy degëve të tjera, që do të thotë se mundësitë e punësimit rriten jo vetëm brenda vendit por edhe jashtë.
“Diploma jonë njihet jo vetëm në Europë, por edhe në SHBA dhe Kanada”, shton Leonidha Peri.
Top Channel