Kryeministri Edi Rama nuk është optimist për atë që do të ndodhë javën e ardhshme në Këshillin Evropian, ku do të diskutohet për negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“A jam optimist? Jo”, është shprehur Rama për median irlandeze, ‘The Irish Times’.
“Nuk ka shumë për të qenë optimist për çfarë po ndodh sot në Evropë. Jam optimist për të ardhmen e vendit (Shqipërisë), por jo për çfarë do të ndodhë javën e ardhshme”, ka deklaruar Rama.
Rama ka shtuar se: “Ne jemi dëm kolateral. Kur ka bomba diku dhe një kopsht goditet – ne jemi kopshti.”
Sa i përket reformës në drejtësi dhe kritikave që bëhen për mungesën e institucioneve të gjyqësorit, Rama thotë: “Ne pastruam aq shumë sa Gjykata Kushtetuese është fshirë praktikisht. Dhe tani ata [BE] thonë: “Mirë, ju i pastruat (gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar), por nuk keni Gjykatë Kushtetuese.”
Kryeministri shqiptar ka theksuar se vendi nuk po kërkon të bëhet anëtar i BE-së javën tjetër, dhe e di se kjo nuk mund të bëhet pa një Gjykatë Kushtetuese.
“Ne po kërkojmë të fillojnë bisedimet e pranimit, të cilat mund të vazhdojnë mbase 10 vjet. Pra, atëherë na gjykoni në 10 vjet”, ka thënë ai.
Në fund të intervistës, Rama ka thënë se ky proces është i rëndësishëm për vendin dhe gjeneratën e ardhshme.
“Në 10 vitet e ardhshme do të jetë një vend tjetër dhe do të kemi një shtet që funksionon totalisht ndryshme. Kam besim për këtë”, ka thënë kryeministri.
Basha për ‘The Irish Times’: Çështjet e korrupsionit të lartë, shmangen nën ndikimin e qeverisë
Top Channel