Kryeministri Edi Rama ka fajësuar opozitën shqiptare se me sjelljen e saj ka përcaktuar dallimin që ekziston sot brenda vendeve të Bashkimit Evropian sa i përket qasjes që kanë për negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në foltoren e Parlamentit, Rama tha: “Ata që janë përpjekur të thonë se ndarja në propagandë apo në qëndrime mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë do të çojë në një ndarje në një gjykim të përgjithshëm, jo vetëm kanë gabuar, por kanë dështuar në përgatitjen e një terreni politik këtu në funksion të agjendës së tyre. Ka një ndryshim të madh që ka përcaktuar në një pjesë të madh edhe dallimin midis dy vendeve, dhe ka të bëjë me qasjen e opozitës atje dhe qasjen e opozitës këtu. Flas për opozitën që nuk është këtu dhe dogji mandatet vetëm për të bllokuar hapjen e negociatave.”

Sipas Ramës, opozita shqiptare mendoi se duke kopjuar opozitën maqedonase  “do të gjunjëzonte shumicën qeverisëse” në Shqipëri. Megjithatë, shtoi ai, opozita atje nuk merr rrugën e Evropës për të bërë të pabërën për vendin e vetë.

Në një pjesë të konsiderueshme të fjalimit, Rama u fokusua në atë që e quajti “fazë interesash” ku Shqipëria kërkon të ngrihet në raport me shtetet e BE-së.

“Nga ana tjetër është shumë e qartë se vendimi i Këshillit Evropian nuk ka lidhje fare me çfarë kemi bërë apo jo ne. E thashë këtu edhe herën e kaluar, unë nuk mendoj se Finlanda është më pak ekzigjente dhe më tolerante ndaj krimit dhe korrupsionit sesa Holanda. S’bën vaki. Nuk mendoj se Austria është më pak e interesuar për të patur zgjedhje më të mira në Shqipëri, sesa Gjermania. Ajo çka diskutohet sot në vendet e BE-së lidhur me zgjerimin është një debat brenda BE-së. Thelbi, të parët që duhet ta kuptojnë deri në fund dhe nuk duhet ta mohojnë së paku, e më pas ta transformojnë në shashkë në politikë të brendshme, qëndron në një situatë në BE që s’ka lidhje fare me ne. Ne përfshihemi si rrjedhojë, por jo si burim, si pasojë, por jo si shkak. Nuk jemi ne shkaku që BE nuk është unanime sot në një përgjigje të qartë ndaj një rekomandimi të Komisionit Evropian. I patë në Parlamentin holandez ata që flisnin kundër Maqedonisë së Veriut? I patë sesi u futën në debat duke bërë cop vendin tjetër? Është thjesht çështje e qasjes ndaj BE-së në tërësi, ndaj procesit të zgjerimit dhe patjetër ndaj elektoratit të tyre. Është krejt e qartë. Siç është i qartë qëndrimi i Francës, është një qëndrim që do të formësohet në funksion të strategjisë së re që ka presidenti francez në raport me Evropën.

Të gjitha këto nuk duhet të na bëjnë ne më pak të interesuar dhe më pak të përgjegjshëm, por duhet të na japin të kuptojnë se kemi hyrë në një lojë shumë më të komplikuar. Kemi hyrë në fazën ku po kërkojmë të ngjitemi në një tjetër nivel me një familje të madhe interesash. Dhe në atë familje të madhe interesash është e qartë se as ne dhe as Ballkani Perëndimor nuk shihemi sikur po na sheh ndonjë OJQ ose ndonjë federatë vlerash dhe pa interesa, jo shihemi në bazë të interesave dhe kjo është gjëja më normale.”

  “KÇK të shpallet në kërkim”, Rama: Është grupi më i madh kriminal në Shqipëri

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA