Një zyrtar i dytë i zbulimit amerikan ka kontaktuar Inspektorin e Shërbimeve të Zbulimit me “informacion të dorës së parë” që mbështet të dhënat e paraqitura nga informatori fillestar për veprimet e Presidentit Donald Trump me Ukrainën, njoftoi të dielën avokati që përfaqëson tashmë të dy informatorët.

Mark Zaid, avokati i dy informatorëve, tha se personi i dytë kontaktoi pasi Inspektori i Përgjithshëm i Shërbimeve të Zbulimit (ICIG) filloi hetimet në muajin gusht për të përcaktuar nëse kishte besueshmëri dhe “shqetësime urgjente” në denoncimin e paraqitur që u bë shkak edhe për procesin hetimor për shkarkimin e Presidentit Trump. “Nuk është një strategji e re”, tha Zaid.

“Është pjesë e hetimit të filluar nga ICIG për shqetësime urgjente”.

Për më tepër, zoti Zaid tha se një numër informatorësh të tjerë kanë konktaktuar në lidhje me këtë denoncim të muajit gusht, ndërkohë që inspektori i përgjithshëm Michael Atkinson dëshmonte javën e kaluar në Komisionin e Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve.

Informatori i parë paraqiti një denoncim për një telefonatë të 25 korrikut mes Presidentit Trump dhe Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy, gjatë së cilës Presidenti Trump kërkoi ndihmë për të hetuar rivalin demokrat, ish-Nënpresidentin Joe Biden, së bashku me të birin Hunter Biden.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA