Të ngrihet “Trump TV”/ Presidenti amerikan kërkon rrjetin e tij të lajmeve

05/10/2019 01:47

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka sugjeruar që Shtëpia e Bardhë të ngrejë rrjetin e saj të lajmeve, për të kundërshtuar atë që ai thotë se është “urrejtje” e mediave kryesore për Shtetet e Bashkuara.

“CNN psh, është një kanal informativ që vetëm duket si një informacion, dhe është një gjë e tmerrshme për vendin tonë. Ne duhet të fillojmë rrjetin tonë dhe të vendosim atje disa lajme të vërteta. Ne po shohim në atë drejtim Duhet të bëjmë diçka edhe për këtë. Vendosni disa njerëz me të vërtetë të talentuar dhe merrni një informacion të vërtetë atje. Jo një informacion që është i rremë”- tha Donald Trump.

Trump ka ashpërsuar kritikat e tij për CNN-in dhe media të tjera të mëdha, siç është New York Times, pasi shpërtheu skandali i një telefonate që ai pati me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelenskiy më 25 korrik.

Gjatë telefonatës, Trump duket se e nxit Zelenskiy për të zhvilluar një hetim ndaj rivalit të tij politik, ish-nënpresidentit, Joe Biden dhe djalit të tij. Kjo telefonatë është bërë pikë qendrore e një hetimi nga ligjvënësit amerikanë.

Nuk është e qartë nëse Trump ishte serioz në komentet për ngritjen e një rrjeti lajmesh, por ai iu referua Radios Evropa e Lirë dhe Zërit të Amerikës, si dy transmetues të financuar nga qeveria amerikane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA