Megjithatë pak larg kuzhinës, majanë e bukës mund ta përdorni edhe për një sërë gjërash të tjera.
Kur themi maja buke me siguri ju vijnë në mendje përgatitjet e buta të brumit të bukës apo picës.
Kjo jo pa qëllim, pasi majaja e bukës është më se e domosdoshme në mënyrë që këto gatime brumi të dalin sa më të mira.
Megjithatë pak larg kuzhinës, majanë e bukës mund ta përdorni edhe për një sërë gjërash të tjera.
Përdorimet e saj fillojnë që nga kujdesi për fytyrën, deri tek kujdesi për lulet dhe kopshtaria.
Në këtë artikull nga AgroWeb.org ju shpjegojmë pesë mënyra alternative të përdorimit të kësaj kërpudhe natyrale.
Ndiqni më poshtë të shpjeguar hap pas hapi se çfarë mund të bëni në shtëpi me majanë e bukës.
Efektet pastruese që majaja e bukës ka e bëjnë atë një trajtim perfekt për pastrimin e thellë të fytyrës.
E pasur në vitaminë B, antioksidantë, amino acide dhe vitaminë E, rikthen shkëlqimin dhe elasticitetin e lëkurës tuaj në fare pak hapa.
Mjafton të përzieni një lugë gjelle maja me pak ujë të ngrohtë ose të vakët.
Lëreni të pushojë për 30 minuta në një ambient të ngrohtë.
Më pas aplikojeni në fytyrë të pastër të gjithë masën e trashë të tretur në ujë dhe mbajeni në fytyrë për 20 minuta.
Kur të jetë tharë, lajeni fytyrën me ujë të ftohtë dhe hidratojeni me kremin tuaj të përditshëm.
Për të pasur flokë të gjatë e plot shkëlqim ju duhet vetëm pak maja buke e freskët.
Duke qenë e pasur me vitaminë B8 dhe një sërë vlerash të tjera, majaja e bukës funksionon si një trajtim i vërtetë ushqyes për flokët.
Tresni një lugë gjelle maja buke në një gotë të mbushur me ujë të vakët dhe vendoseni në flokë të thatë, duke filluar nga skalpi i kokës.
Lëreni të thahet dhe të veprojë për 30 minuta, më pas lajeni kokës si zakonisht me shampo.
Kërmijtë apo krimbat e vegjël të cilët qëndrojnë dhe ushqehen në degët e bimëve shpeshherë mund të kthehen në një problem të vërtetë.
Sidomos për ata që kanë kopshte të mëdha me lule apo bimë të tjera frutore.
Problemin e insekteve apo krimbave jua zgjidh fare lehtë majaja e bukës, pa pasur nevojën e përdorimit të kimikateve toksike.
Mjafton të mbushni një kavanoz me dy lugë gjelle maja buke apo më shumë në varësi të kavanozit që do ta hidhni.
Shtoni aty ujin e vakët pak sheqer dhe pak kripë.
Vendoseni kavanozin tuaj në një cep të tokës ku ndodhen lulet apo bimët tuaja dhe insektet nuk do t’i sulmojnë më lulet.
Kjo sepse do të tërhiqen nga përbërja e fermentuar e majasë dhe do të mblidhen brenda në kavanoz.
Bëni kujdes që ta ndryshoni ujin dhe ta zbrazni atë çdo 2-3 ditë.
Gjithashtu groposeni kavanozin e hapur deri në gjysmë të tij, në mënyrë që të mos derdhet.
Një përzierje e thjeshtë majaje, uji dhe mjalti ndihmon që lulet tuaja të sigurojnë proteinat e nevojshme për t’u pjalmuar nga insektet e mira.
Mjafton të hidhni pak nga kjo përzierje tek pjatat e zakonshme të luleve.
Aty do të mblidhen insektet e mira siç janë bletët dhe nusepashkët të cilat largojnë inseketet e këqija.
Duke qenë se vetë majaja është një kërpudhë dhe ka mikrorganizma të gjallë, ndihmon shumë në plehërimin e mirë dhe të shpejtë të dheut.
Nëse bashkoni pak maja buke, sheqer, kripë dhe ujë të vakët dhe e hidhni në dhe, do të ndihmojë në dekompozimin më të shpejtë të materialeve organike.
Majaja e aktivizuar me përbërjen e plehërimit përshpejton procesin, por plehu nuk duhet të jetë i ngrohtë pasi dëmton bimën./AgroWeb
Top Channel