Reforma zgjedhore ka shkaktuar një përplasje të re mes opozitës së re parlamentare dhe propozimit më të fundit të kryeministrit Edi Rama për të avancuar me ndryshimet në kodin elektoral.
“Ne kemi një pikë të rëndësishme, vota e emigrantëve. Por të gjitha këto, përfshirë edhe këtë mund të marrin kohë akoma, nuk kemi një ngut, kemi ngut për rekomandimet e OSBE-së dhe për t’iu përgjigjur një kushti, uljes në tryezë me KiE-në dhe formalizimin e procesit të çeljes së negociatave dhe për këtë do të nxitojmë” deklaroi Rama për emisionin Repolitics.
Po ashtu kryeministri tha se diskutimet për sistemin do të ndodhin në një fazë të dytë. Gazetari i Top Channel Muhamed Veliu, intervistoi Ralf Gjonin, nga Grupi i pavarur parlamentar, i cili deklaroi:
“Kryeministri foli për një reformë me dy faza që nuk ka për të ndodhur, të paktën jo me votën tonë në parlament. Sepse ne jemi shprehur qartë që reforma zgjedhore duhet të jetë një reformë tërësore, gjithëpërfshirëse që i prek të gjitha hallkat e sistemit. Një prej hallkave teknike të kodit zgjedhor janë rekomandimet e OSBE/ODHIR të cilat ne kemi nevojë t’i rishikojmë dhe të ripërpunojmë një draft tjetër në gjirin e komisionit të Posaçëm parlamentar po përveç kësaj duhet prekur ligji për partitë politike dhe patjetër edhe Kushtetuta për ndryshimin e sistemit zgjedhor sepse kjo është kauza jonë në parlament dhe ne do qëndrojmë kësaj kauze deri në fund”, tha ai.
Ju deklaruat në parlament se do nisni përgatitjen e amendamenteve, ku jeni me këtë proces?
“Ne jemi duke punuar bashkarisht edhe brenda grupeve parlamentare, por edhe me ekspertë të shoqërisë civile jashtë parlamentit për të përgatitur një
draft propozimi i cili do të vijë shumë shpejt në komisionin e reformës zgjedhore në parlament. Atje do bëhen diskutimet se çfarë PS do jetë e gatshme të pranojë. I bëj thirrje partive jashtë parlamentit që të marrin pjesë në këtë tryezë, sepse druaj që mos pjesëmarrja e tyre do çoj në përjashtimin e tyre nga sistemi dhe në kryerjen e reformës elektorale brenda këtij parlamenti pa ta”.
Kur mund ta keni si kohë draftin tuaj?
“Besoj që gjatë javëve në vazhdim do e kemi gati”, tha Gjoni.
Top Channel