Prokuroria ka marrë në pyetje ish ministrin e Bujqësisë Niko Peleshi për skandalin e Sikilon Miks.
Prokuroria e Tiranës ka hapur një çështje ende pa autor për Sikilon Miks për shpërdorim detyre dhe ish ministri Peleshi është i pari që u mor në pyetje.
Pak para orës 12 Peleshi shkoi në Prokurori duke ju shmangur gazetarëve dhe për rreth 60 minuta është marrë në pyetje nga Prokurori Alket Mersini dhe oficeri i policisë gjyqësore, Sokol Myslia.
Mësohet se prokurorët kanë kërkuar shpjegime se si ish ministri vendosi të urdhërojnë hedhjen në treg të kimikatit Silikon Miks që ishte bllokuar disa muaj më parë nga ana e autoritetit kombëtar të ushqimit.
Një ngarkesë prej 300 mijë euro nga ky kimikat u bllokua në doganën e Durrësit në vjeshtën e vitit 2017 e pas disa muajsh Peleshi urdhëroi anulimin e këtij bllokimi.
Top Channel investigoi dhe zbuloi se Silikon Miks ishte zhdoganuar sikur ishte pleh për bujqësinë por fermerët e përdornin atë si pesticid.
Këtë e ka konfirmuar përveç AKU edhe laboratori i Ministrisë së Bujqësisë në Fushë Krujë. Por as këshilltarët e ministrit e më pas as vetë ish ministri nuk morën parasysh këto fakte dhe hartuan urdhrin për anulim.
Prokuroria hapi hetimin dhe kërkoi gjithë dokumentat nga Ministria e Bujqësisë.
Ndërsa ish ministri mësohet ti ketë thënë prokurorëve se për të marrë këtë vendim kishte marrë më parë një ankesë nga një subjekt privat dhe e kishte trajtuar në rrugë institucionale duke ja paraqitur këtë si detyre drejtorive në vartësi të cilat kanë kthyer përgjigjeje.
Skandali i Silikon Miks u zbulua nga Top Channel në qershor të vitit 2018 dhe pas një viti investigimi ishte marrë si indicie për një kontroll të detajuar nga ana e kontrollit të lartë të shtetit.
Sipas KLSH ministri kishte shkelur ligjin duke dhënë urdhrin për Silikon Miks.
Ky raport vuri në lëvizje edhe Prokurorinë e Tiranës e cila tashmë ka marrë dosjen në dorë dhe e nisi marrjen në pyetje me vetë ish ministrin Niko Peleshi, i cili firmosi urdhrin.
Top Channel